Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se përpjekjet për të kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duhet të udhëhiqen nga institucionet e Kosovës, përmes një strategjie të qartë dhe pa dëmtuar partneritetet ndërkombëtare.
Fetoshi ka vlerësuar se vendimi i Hagës nuk mund të kundërshtohet përmes përshkallëzimit të tensioneve, polarizimit politik apo përplasjeve me partnerët strategjikë.
Sipas tij, Kosova duhet të kalojë nga reagimet emocionale në një qasje të koordinuar shtetërore, duke mobilizuar ekspertizën ligjore, resurset dhe diplomacinë për betejën në Apel.
Fetoshi ka propozuar krijimin e një task-force që do të angazhonte ekspertë dhe do të koordinonte përpjekjet për mbrojtjen e qëndrimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Pas konsolidimit të institucioneve, revolta, pezmi dhe akuzat duhet t’ia lënë vendin strategjisë, ndërsa shteti duhet ta udhëheqë betejën për drejtësi. Një task forcë që mobilizon resurse pa limit, ekspertizë dhe lobim, për ta mbrojtur të vërtetën kundrejt makinacioneve serbo-ruse. Që fuqizon diplomacinë dhe demaskon fabrikimet jashtë, e që maturon tensionet dhe qartëson sistemin e vlerave brenda. Për inferiorët – kundërshtarë, jugonostalgjikë apo kolaboracionistë – që vuajnë nga e kaluara e tyre, ajo nuk kompensohet dot me përdhosjen e vlerave të Lirisë. Por, edhe për atdhetarët – veteranë, invalidë e familje të dëshmorëve – sakrifica dhe heroizmi nuk janë “kompetenca” për ta dëmtuar atë. Kosova po kalon sfidën e pjekurisë demokratike, prandaj debati, sado i ashpër, i bën mirë. Por jo edhe retorika nxitëse, jo fushtatat linçuese dhe jo përndjekja për shkak të mendimit”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka theksuar gjithashtu se debati për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të përqendrohet në qartësimin e hapave të ardhshëm dhe në përgjegjësitë shtetërore për procesin e Apelit.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian dhe partnerëve evropianë ndaj ligjit, Fetoshi ka thënë se ato kërkojnë përgjigje politike të argumentuara dhe profesionale, e jo reagime të nxitura nga mllefi.
Mes tjerash, Fetoshi ka bërë thirrje për ruajtjen e partneriteteve strategjike dhe për një qasje të matur, duke theksuar se Kosova duhet ta mbështesë betejën për drejtësi në Apel përmes vendosmërisë institucionale dhe diplomacisë.
“Debati mbi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet t’i shërbejë qartësisë, rrugës përpara dhe detyrave shtetërore për betejën e Apelit. Nuk guxon të kuptohet si qëndrim kundër drejtësisë, për shkak të padrejtësisë. Reagimet e BE-së e të partnerëve europianë kundër ligjit janë politike, prandaj kërkojnë përgjigje politike. Me seriozitet dhe argumentim, jo mllef e inat. Të peshuara e të kalkuluara mirë në kontekstin e vlimeve aktuale, që po kërcënojnë jo vetëm Europën. Mospajtimi me BE-në s’do të thotë “shkelje e marrëveshjes”, por mungesa e komunikimit rrezikon mosmarrëveshjen. Prandaj, adresimi i shqetësimeve kërkon maturi e profesionalizëm, jo rrezikim të partneriteteve strategjike. Qasja jonë duhet të ndërtohet mbi vendosmërinë e vogëlsisë tonë, jo mbi premisa folklorike e patetike”, shkruan Fetoshi.