Presidenti Bajram Begaj në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Kroacisë dhe Presidenten e Sllovenisë si organizatorë të Samitit të Procesit të Brdo-Brijuni-t në Shqipëri theksoi se diskutuan sfidat aktuale gjeopolitike, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Begaj tha se në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike, “megjithatë, rajoni ynë përballet me sfida, sfida të sigurisë, të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh”.
“Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë përbën një mundësi të çmuar për zhvillim ekonomik, pasi krijon akses në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për zhvillim.
Gjithashtu, diskutuam për rrugët e bashkëpunimit rajonal, me qëllim krijimin e kushteve që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin tonë, në vendet e tyre.
Në këtë kuadër, vlerësojmë veçanërisht takimin e drejtorëve të agjencive kombëtare të punësimit, si një nismë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel rajonal”, tha Begaj.
Ai vlerësoi përparimin e ndjeshëm dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që siç tha nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar.
“Brenda një kohe të shkurtër, kemi hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues, çka përbën një njohje konkrete të përpjekjeve tona për reforma, nga forcimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e gjyqësorit, te modernizimi i administratës publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe harmonizimi i politikave ekonomike me standardet e Bashkimit Evropian.
Aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një mision kombëtar.
Integrimi në BE gëzon mbështetjen e gjerë të shoqërisë shqiptare, pasi pasqyron vlerat themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Këto vlera përbëjnë themelet e së ardhmes evropiane që Shqipëria po ndërton me vendosmëri.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, u shpreh Begaj./Euronews.al