Biden thotë se SHBA do të dërgojë sisteme raketash me rreze të mesme veprimi në Ukrainë

SHBA-ja do t’u dërgojë ukrainasve armë raketore me rreze të mesme veprimi. Këto armë pritet që t’u shërbejnë atyre për të bërë sulme më precize kundrejt pozicioneve ruse

Lansim i raketës nga Ukraina. Foto:AP

Administrata Biden thotë se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël sisteme raketash të teknologjisë së lartë, me rreze të mesme veprimi, një armë kritike të cilën krerët ukrainas e kanë kërkuar me ngulm, derisa përpiqen të pengojnë përparimin rus në rajonin e Donbasit.

Dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane të martën, bënë të ditur se sistemet e raketave janë pjesë e një mbështetje të re prej 700 milionë dollarësh të asistencës së sigurisë për Ukrainën nga SHBA, që do të përfshijë helikopterë, sisteme të armëve antitank Javelin, automjete taktike, pjesë këmbimi e të tjera, raporton AP.

Zyrtarët folën në kushte anonimiteti për të parë paraprakisht paketën e armëve që do të prezantohet zyrtarisht të mërkurën.

Ky vendim i SHBA-së për ta ndihmuar Ukrainën me sisteme raketore tenton që të vendosë një ekuilibër në mes të dëshirës për ta ndihmuar shtetin ukrainas që të mbrohet nga sulmet ruse, derisa nuk siguron armë që mund t’i mundësonin Ukrainës të godasë objektiva brenda Rusisë, që do të shkaktonte përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.

Në një ese të botuar të martën mbrëma në New York Times, Presidenti Joe Biden, konfirmoi se ka vendosur t’iu “sigurojë ukrainasve municione dhe sisteme më të avancuara raketore që do t’u mundësonte atyre të godasin me më precizitet objektivat në fushat e betejës në Ukrainë”.

Presidenti i SHBA-së në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Foto: AP

Të hënën Biden ka thënë se SHBA-ja nuk do të dërgojë “sisteme raketore që mund ta godasin Rusinë”.

Disa zyrtarë thanë se çdo sistem armësh mund ta godasë territorin e Rusisë, nëse janë afër kufirit të tyre.

Paketa e ndihmës që pritet të zbulohet të mërkurën përmban ato që SHBA-ja i konsideron sisteme të mesme raketore. Në përgjithësi, ato mund të shkojnë rreth 70 kilometra larg.

Sipas zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, ukrainasit e kanë siguruar SHBA-në, se nuk do të lëshojnë raketa në territorin rus.

Një nga zyrtarët bëri të ditur se sistemet e avancuara raketore do t’u japin ukrainasve precizitet më të madh në targetimin e aseteve ruse brenda Ukrainës.

Pritjet janë që forcat ukrainase t’i përdorin raketat në rajonin lindor të Donbasit, ku ato mund të godasin artilerinë ruse dhe t’i marrin pozicionet ruse në qytetet ku luftimet janë intensive, si në Sievierodonetsk.

Një njeri duke ecur afër ndërtesave të shkatërruara në Ukrainë si pasojë e sulmeve ruse. Foto:AP

Sievierodonetsk-u është i rëndësishëm për rusët për ta marrë Donbasin përpara se të mbërrijnë edhe më shumë armë nga perëndimi për ta forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Ky qytet, i cili është 145 kilometra në jug të kufirit rus, është zona e fundit që gjendet nën kontrollin e Ukrainës në rajonin Luhansk të Donbasit.

Biden në esenë e tij të New York Times shtoi: “Ne nuk po e inkurajojmë apo lejojmë Ukrainën të godasë përtej kufijve të saj. Ne nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë.

Është paketa e 11-të e miratuar deri më tani dhe do të jetë e para që do të përfitojë 40 miliardë dollarë në ndihmën e sigurisë dhe ekonomisë të miratuar së fundmi nga Kongresi.

Sistemet e raketave do të ishin pjesë e autoritetit të tërheqjes së Pentagonit, kështu që do të përfshinte marrjen e armëve nga inventari i SHBA-së dhe dërgimin e tyre në Ukrainë. Trupat ukrainase do të kenë nevojë, gjithashtu, për trajnim mbi sistemet e reja, të cilat mund të zgjasin të paktën një ose dy javë.

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika