Bekim Sejdiu është emri për të cilin, sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja për postin e presidentit të Kosovës.
Sejdiu është ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pozitë të cilën e ka mbajtur që nga prilli i vitit 2015 deri më 2021.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe i përket brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork, gjatë periudhës 2012-2014.
Para se të emërohej ambasador, Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Profesor i së drejtës ndërkombëtare
Sejdiu është i angazhuar edhe në fushën akademike. Që nga viti 2002 është profesor asistent në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet themelore në drejtësi i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999.
Ai ka përfunduar edhe dy studime të magjistraturës. Njërën në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit në Turqi, në vitin 2005, ndërsa tjetrën në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës, në vitin 2001.
Sejdiu ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane – Nova Univerza në Slloveni.
Angazhimi në shoqërinë civile
Para angazhimit në diplomaci dhe institucione shtetërore, Sejdiu ka pasur rol edhe në sektorin e shoqërisë civile.
Ai ka qenë pjesë e grupit themelues dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, gjatë viteve 2002-2008.
Ndërsa gjatë viteve 2000-2002 ka shërbyer si drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile.
Sipas biografisë së publikuar nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet e tij publike kanë qenë të lidhura me promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.
I dekoruar në SHBA dhe Turqi
Gjatë karrierës së tij publike, Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje.
Ndër to janë Dekorata e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësi i qytetit Worcester në Massachusetts dhe Medalja nga Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë.
Ai ka marrë pjesë edhe në vizita studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dhe ka publikuar punime akademike në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.
