Blinken sërish në Izrael për të shtyrë përpara zgjatjen e mëtejme të armëpushimit

Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit, do të kthehet në Lindjen e Mesme gjatë kësaj jave për t'u përpjekur për zgjatjen e armëpushimit në Gazë dhe lirimin e më shumë pengjeve. Ky do të jetë vizita e tretë e kryediplomatit amerikan në rajon që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin izraelt, Benjamin Netanyahu. Tel Aviv, 12 tetor 2023.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë kësaj jave do të rikthehet në Lindjen e Mesme përderisa Shtetet e Bashkuara shpresojnë të gjejnë një mënyrë për ta zgjatur armëpushimin në Gazë dhe të lirohen më shumë pengje, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Kjo do të jetë vizita e tretë në rajon e kryediplomatit amerikan, qëkur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi muajin e kaluar.

Blinken do të udhëtojë për në Izrael dhe në Bregun Perëndimor pasi të zhvillojë takime të martën dhe të mërkurën në Bruksel dhe Shkup, ku ai do të takohet me ministrat e Jashtëm të NATO-s, përkatësisht me përfaqësuesit e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).

Izraeli është pajtuar që t’i pauzojë operacionet e tij ushtarake në këmbim të lirimit gradual të pengjeve që mori Hamasi në sulmet fillestare më 7 tetor në jug të Izraelit. Marrëveshja pritej të skadonte të hënën, por u zgjat edhe për dy ditë të tjera, që nënkupton se do të skadojë në kohën kur Blinken të arrijë në Izrael.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të hënën se SHBA-ja shpreson që të shohë zgjatjen e mëtejme të pauzën, por ai theksoi se kjo varet nëse Hamasi do të vazhdojë të lirojë pengje.

Në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, Blinken “do të diskutojë për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, që përkon me ligjin ndërkombëtar humanitar, por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura, mbrojtjen e jetës së civilëve gjatë operacioneve të Izraelit në Gazë dhe përshpejtimin e dërgimit të ndihmës humanitare për civilët në Gazë”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Ai tha se Blinken po ashtu do të diskutojë për parimet për Gazën e pasluftës, por edhe për nevojën për të krijuar një shtet të pavarur palestinez dhe parandalimin e zgjerimit të konfliktit.

Në Bregun e pushtuar Perëndimor, Blinken pritet të takohet me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë besojnë se Autoriteti Palestinez duhet të luajë një rol të rëndësishëm në qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës.

Nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, Blinken do të udhëtojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të diskutojë me liderët rajonalë të cilët do të jenë pjesëmarrës në samitin e klimës COP28, shkruan REL.

Blinken është angazhuar në diplomaci të furishme duke tentuar që të parandalojë që konflikti në Gazë të përhapet, që ndihma humanitare për palestinezët në këtë territor të zgjerohet, të sigurohet lirimi i pengjeve dhe që shtetasit e huaj dhe ata me shtetësi të dyfishtë të mund të largohen nga Gaza për në Egjipt.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika