“Çamëria: Një histori dokumentare” nga historianët Robert Elsie e Bejtullah Destani

“Çamëria: Një histori dokumentare”: Ky vëllim për herë të parë në gjuhën angleze sjell një numër të madh dokumentesh historike rreth Çamërisë dhe shqiptarëve çamë si një pakicë etnike në Greqi, me shpresën për të arritur një kuptim më të mirë të historisë së tyre dhe të çështjes çame në tërësi.

Shkruan: Robert Elsie

Çamëria: një brez kufitar midis Greqisë dhe Shqipërisë

Çamëria është një rajon malësor që shtrihet në jugperëndim të Gadishullit Ballkanik, ndërsa sot ndodhet në kufirin greko-shqiptar. Pjesa më e madhe e Çamërisë gjendet në provincën greke të Epirit, që në tërësi korrespondon me prefekturat e Thesprotisë dhe Prevezës, por përfshin gjithashtu edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, zonën përreth Konispolit. Shtrihet në një sipërfaqe prej afro 10.000 kilometrash katrorë dhe aktualisht është e populluar nga një popullsi greqishtfolëse, e përbërë nga 150.000 banorë.

Si një rajon historik, Çamëria, e shqiptuar gjithashtu edhe Çamuria, Çamouria apo Tsiamouria, shpeshherë ngatërrohet me Epirin, që në fakt është një hapësirë shumë më e madhe, që përfshin territoret e Greqisë Veriperëndimore, siç është për shembull qyteti i Janinës, por gjithashtu edhe një pjesë të mirë të Shqipërisë Jugore.

Nga pikëpamja gjeografike, Çamëria fillon në veri të lumenjve Pavllë dhe Shalës në pjesën jugore të Shqipërisë. Shtrihet në drejtim të jugut përgjatë bregdetit të Detit Jon në Greqi, deri në Prevezë dhe Gjirin e Artës, që në shekullin e nëntëmbëdhjetë shënonte kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por nuk përfshin ishullin e Korfuzit apo rajonin e Janinës në lindje.

Zemra, apo rajoni qendror i Çamërisë, që në gjuhën greke quhet si Thesprotia, mund të thuhet se është baseni i lumenjve Kalamas dhe Akeron. Ishte lumi Kalamas, që në kohët e lashta quhej si Thaymis, që i ka dhënë Çamërisë emrin që ka.

Çamët shqiptarë të Greqisë si një popull dhe si një pakicë etnike

Ekzistojnë tre grupe të ndryshme të shqiptarëve në Greqi dhe është me vend që t’i kuptojmë dallimet midis tyre. Çamët, që në greqisht njihen si tsamides, nuk ishin asgjë tjetër përveçse shqiptarë që jetonin në pjesën më jugore të territorit shqip-folës. Populli shqiptar, nga pikëpamja gjuhësore, mund të ndahet në dy grupe kryesore: gegët apo shqiptarët e veriut dhe toskët apo shqiptarët e jugut. Dallimi gjuhësor midis tyre, në kuptimin gjeografik të fjalës pak a shumë përcaktohet përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin që ndodhet në Shqipërinë e mesme, i cili kalon përmes Elbasanit dhe derdhet në detin Adriatik. Kësisoj, shqiptarët në veri të këtij lumi, përfshirë dhe shqiptarët e Kosovës, flasin dialektin gegë, ndërsa shqiptarët në jug të tij, përfshirë dhe çamët, flasin dialektin toskë. Çamët pra mund t’i cilësojmë si grupin më jugor të folësve të toskërishtes.

Grupi i dytë i shqiptarëve në Greqi janë pasardhësit e fiseve shqiptare që emigruan drejt jugut e deri në Greqi gjatë shekujve të katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë, duke u vendosur kështu në pjesën qendrore dhe jugore të këtij vendi. Ata flasin një dialekt disi të ndryshëm toskë, që në Greqi njihet si Arvantika. Ky shqiptar arvanitas, nëse do ta quajmë të tillë, dikur ishte i përhapur në pjesën qendrore dhe jugore të Greqisë; veçanërisht në Atikë, Boeti, në arkipelagun e madh të Peloponezit, Euboe, Andros dhe në ishujt e Gjirit Saronik. Por kjo gjuhë, mjerisht, është duke vdekur me shpejtësi. Vendbanimet tradicionale shqiptare të këtyre rajoneve, që janë rreth treqind fshatra, tani pothuajse janë asimiluar plotësisht dhe shumica dërrmuese e folësve të mirëfilltë të shqiptarëve arvanitas janë mbi tetëdhjetë vjeç të moshuar.

Grupi i tretë i shqiptarëve në Greqi, e që është një bashkësi shumë e madhe krahasuar me dy të tjerat, janë emigrantët e rinj që kanë shkuar në Greqi në kërkim të një pune dhe jetese më të mirë, që prej shembjes së diktaturës komuniste në vitin 1990. Vlerësohet se sot në Greqi jetojnë më shumë se gjysmë milioni emigrantë shqiptarë, legalë dhe ilegalë.

Shqiptarët çamë janë kështu një grup shumë i veçantë i shqipfolësve në Greqi. Midis vendbanimeve të tyre tradicionale në rajonet tashmë pothuajse të pabanuara të Çamërisë, ishin Gumenica/Igoumenitsa, Filati/Filiates, Paramithia/Paramythia, Parga dhe Margëlliçi/Margariti, e veçanërisht shumë fshatra më të vegjël që janë braktisur dhe shkatërruar, e që sot nga mungesa e njerëzve janë mbushur plot blerim natyror. Vendbanime çame ka pasur aty-këtu deri në Prevezë, që siç e thamë, është pika më jugore e Çamërisë.

Kur forcat greke e morën nën kontroll Çamërinë dhe Epirin e jugut në Luftën Ballkanike të vitit 1912, çamët befasisht e gjetën veten në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Në dekadat që pasuan, veçanërisht në vitet 1920, 1930 dhe 1940, pjesa dërrmuese e çamëve emigruan apo u përzunë nga Çamëria, banorë të cilët edhe sot e kësaj dite jetojnë në Shqipërinë e jugut. Në qytetet e Shqipërisë qendrore dhe jugore ka bashkësi të mëdha çame, të cilat deri diku i kanë ruajtur tiparet origjinale, pavarësisht se janë asimiluar ndjeshëm. Bashkësi të shquara çame ka edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, që janë aktive në promovimin e identitetit çam.

Histori e shkurtër e Çamërisë dhe e çamëve

Të dhënat më të hershme të shkruara të shqiptarëve në Ballkanin Jugperëndimor datojnë që prej shekullit të njëmbëdhjetë. Kryesisht ato janë shfaqur nëpër kronikat bizantike. Ne kemi pak dijeni rreth përbërjes etnike të Çamërisë dhe Epirit të asaj kohe dhe, ç’është e vërteta, edhe për shekujt në vijim, por nuk kemi dyshim se popullsia e këtyre rajoneve ishte një përzierje midis shqiptarëve, grekëve dhe vllehve siç është edhe sot, pa përjashtuar gjithashtu edhe një prani të konsiderueshme të sllavëve dhe “latinëve.” Një sundues i hershëm shqiptar i këtij rajoni ishte Peter Losha, që në shqip njihet si Pjetër Llosha, ndërsa në greqisht si Petros Leosas, i cili ishte despoti i Artës nga viti 1359 deri kur vdiq më 1374-tën. Sipas shkrimtarit shqiptar Eqerem bej Vlora (1885-1964), Llosha rridhte nga një familje kryesore shqiptare, krerët e së cilës gjatë viteve 1220-1235 në territoret e Thesalisë zhvendosën rreth 10.000 shqiptarë. Ai luftoi kundër rivalëve të tij grekë dhe serbë për shumë vite dhe themeloi njëfarë sundimi pas betejës së Akelousit, zhvilluar më 1359-tën, kur përkrah Karl Topisë mundi despotin e Epirit, Nikeforusin e II-të Orsini. Pjetër Llosha vdiq nga murtaja në vitin 1374 në Artë dhe territoret e sunduara prej tij iu bashkuan Despotatit të Angelokastrës dhe Lepantos. Pasardhësi i tij, Gjin Bue Shpata, pjesëtar i një tjetër familjeje feudale shqiptare, i bashkoi këto dy territore nën sundimin e tij nën ombrellën e Despotatit të Artës, që sot shtrihet nga Gjiri i Korintit deri në lumin Akeron. Më pas ai ishte në konflikt me despotin e Epirit fqinj, Thomas Comnenus Palaeologus (Thomasi i II-të Preljubovic), i njohur si shqiptari vrasës (Albanitoktonos), motra e të cilit, Helena, ishte martuar me Gjin Bue Shpatën. Në vitet 1380-1382 Thomasi kërkoi ndihmën e forcave osmane të Thesalisë për të luftuar kundër Shpatës. Pas kësaj, Gjin Bue Shpata u përfshi në një konflikt edhe me Leonardon I të Toccos, deri kur vdiq në vitin 1399, kur u pasua nga Maurice Bue Shpata. Ky i fundit e mori Janinën në vitin 1403 por e pati të pamundur ta mbante. Venecianët ia morën Lepanton, duke ia shkatërruar kështu pushtetin. Ai vdiq në Artë dhe territoret që zotëronte u morën në zotërim nga Konti i Cefalonisë.

Aty nga fundi i shekullit të katërmbëdhjetë, Çamëria dhe pjesa më e madhe e Epirit ishte marrë nga turqit, të cilët Janinën e pushtuan në vitin 1430. Në vitin 1443, Skënderbeu (1405-1468) mundi ta shtrinte sundimin e tij deri në Epir, por më 1449-tën turqit osmanë e pushtuan Artën, ndërsa tridhjetë vite më vonë, venecianët i kishin humbur të gjitha zotërimet e tyre tokësore në rajon, me përjashtim të Pargës dhe Butrintit. Nën sundimin osman dominuan paqja dhe stabiliteti dhe popullsia gradualisht u konvertua në Islam, duke përqafuar një stil jete disi më oriental. E megjithatë nga ana tjetër ishte pikërisht gjatë kësaj periudhe kur u hodhën farat e para të mosmarrëveshjeve midis myslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë, në Çamëri dhe nëpër të gjithë Perandorinë Osmane, për shkak të trajtimit dhe statusit të ndryshëm zyrtar të të dy grupeve.

Në fundin e shekullit të tetëmbëdhjetë, Epiri dhe Çamëria brenda tij, ra nën sundimin e prijësit shqiptar Ali pashë Tepelenës (1744-1822), i njohur gjithashtu edhe si Ali pashë Janina. Nga pozita e tij si guvernator i Janinës në vitin 1788, Ali Pasha arriti të krijonte një shtet praktikisht të pavarur, të cilin e mbajti me forcë deri kur vdiq në shkurt të vitit 1822. Ai u reshtua në krah të lëvizjes rebele greke kundër dominimit osman dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Anglinë dhe Francën. Pas fasadës romantike të sarajeve të Ali Pashës që shihnin nga liqeni i bukur i Janinës, që në atë kohë quhej si “kryeqyteti i Shqipërisë”, një qytet që u vizitua plot admirim nga shkrimtarë të ndryshëm perëndimorë, siç ishin: François Pouqueville (1770-1838), William Martin Leake (1777-1860), Samson Cerfbeer de Medelsheim (1777-1826), Thomas Smart Hughes (1786-1847), John Cam Hobhouse (1786-1869), Lord Byron (1788-1824), Sir Henry Holland (1788-1873), Charles Robert Cockerell (1788-1863) dhe Benjamin Disraeli (1804-1881), në të vërtetë mbretëronte regjimi i një terrori.

Greqia fitoi pavarësinë në vitin 1830 dhe që prej asaj kohe, nuk ka reshtur së zgjeruari territorin e saj në drejtim të Shqipërisë, me qëllim që ta çlironte popullsinë ortodokse. Megjithatë Epiri, si pjesë e Perandorisë Osmane, mbeti territor shqiptar. Vilajeti i Janinës u krijua në vitin 1864 përmes një reforme administrative dhe përfshinte të gjithë Epirin dhe pjesën më të madhe të Shqipërisë, duke zënë kështu një total prej 17.200 kilometrash katror. Deri në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, besnikëritë politike në rajon para së gjithash përcaktoheshin nga prirjet fetare. Myslimanët, qofshin ata shqipfolës apo greqishtfolës, në përgjithësi ishin besnikë ndaj sulltanit, ndërsa të krishterët ortodoksë e prisnin shpëtimin me sytë nga Greqia e krishterë. Për shqiptarët, vetëm në periudhën gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1880) etnia u bë më e rëndësishme sesa feja. Që nga ky moment e tutje, ata e shihnin veten gjithnjë e më shumë shqiptarë, përkundër shtresëzimit identitar fetar, pavarësisht nëse ishin myslimanë, ortodoksë apo katolikë. Midis mbështetësve të palëkundur të integritetit territorial shqiptar brenda Perandorisë Osmane ishte Abedin Dino (1843-1906), i njohur si Abedin pashë Preveza, i cili luajti një rol kryesor në politikën shqiptare të Lidhjes së Prizrenit dhe që ishte gjithashtu një pjesëtar i komitetit qendror të saj, duke përfaqësuar Çamërinë e tij. Arsyeja kryesore se përse Vilajeti i Janinës nuk ra nën kontrollin e Greqisë por mbeti nën administrimin osmano-shqiptar deri në vitin 1912 ishte pikërisht veprimtaria e tij, sado i korruptuar dhe jo efikas mund të ketë qenë ky formacion politik.

Viti 1912 rezultoi dramatik për Çamërinë dhe popullsinë çame. Në vjeshtën e atij viti, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia bashkuan forcat në Luftën e Parë Ballkanike, me qëllimin e vetëm plaçkitjen e territoreve evropiane të Perandorisë Osmane, ashtu si dhe përzënien e turqve nga Ballkani. I frikësuar nga ideja se mund ta shihte vendin e tij të ndarë nga fuqitë e krishtera, një figurë e rëndësishme shqiptare e Shqipërisë Osmane, Qemal bej Vlora (1844-1919), nuk vonoi dhe shpalli pavarësinë e menjëhershme të Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Shpallja ishte më shumë teorike sesa reale, duke qenë se autoriteti i shtetit të ri shqiptar nuk u shtri përtej qytetit të Vlorës, por megjithatë, ishte një vendim që rezultoi i vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Më 18 tetor 1912, trupat greke e kishin kaluar kufirin jugor të Shqipërisë dhe kishin përparuar në drejtim të veriut deri në Epir. Prevezën e morën në datën 21 të të njëjtit muaj. Gjashtë muaj më vonë, më 6 mars 1913, të udhëhequra nga princi i kurorës Kostantin (1868-1923), forcat greke hynë triumfuese në Janinë, pas një beteje tre ditore pranë Bizanit, duke zënë gjithashtu edhe 33.000 robër nga ushtarët turq dhe shqiptarë. Kësisoj, Epiri dhe Çamëria kishin rënë apo, thënë ndryshe, ishin çliruar. Në kohën e pushtimit të Janinës, të tjera trupa greke kishin avancuar deri në Vlorë.

Kufiri i ri midis një Greqie të zgjeruar dhe një Shqipërie që sapo kishte lindur, për një periudhë të konsiderueshme kohe mbeti i paqëndrueshëm, gjë që në rajon shkaktoi destabilitet politik. Armiqësitë e fshehta që kishin qëndruar të fjetura midis të krishterëve dhe myslimanëve, midis grekëve dhe shqiptarëve në Ballkanin jugor, shpërthyen në një lumë dhune. Nëpër Shqipërinë jugore dhe të gjithë Epirin mbretëroi kaosi dhe gjaku i derdhur ishte i konsiderueshëm. Mit’hat bej Frashëri (1880-1949), në memorandumin e tij “Çështja epiriote; martirizimi i një populli”, e denoncoi egërsinë e sulmit grek ndaj Shqipërisë së jugut, por krime të mirëfillta lufte u kryen nga të dyja palët. Mijëra refugjatë shqiptarë shkuan në Vlorë, ku u strehuan në kushte të tmerrshme. Shumë prej tyre vdiqën nga tifoja dhe uria.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në pranverën e vitit 1913, përfaqësuesit e gjashtë fuqive (Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Austro-Hungarisë dhe Rusisë) u treguan të paafta për të përcaktuar nëse Epiri duhej t’i takonte Shqipërisë apo Greqisë, ashtu siç nuk e përcaktonin se ku duhej të ishte kufiri në rast ndarjeje. Kësisoj në gusht të vitit 1913 u ngrit një Komision Kufitar Ndërkombëtar, që në vjeshtën e atij viti u dërgua në rajon për të ndarë të pandashmen. Identiteti etnik i popullsisë do të luante një rol vendimtar në përcaktimin e kufirit, por në konsideratë u morën edhe faktorë të tjerë. Rezultatet e punimeve të këtij Komisioni u hodhën në letër në Protokollin e Firences, nënshkruar në dhjetor të 1913-shit. Çamëria me gjithë popullsinë e saj me shumicë shqiptare iu dha Greqisë, ndërsa në anën shqiptare u la një pakicë greke.

Qeveria e re shqiptare e pati të pamundur ta ushtronte ndikimin e saj në jug të vendit dhe, pavarësisht Protokollit të Korfuzit të majit 1914 që konfirmoi status quo-në, Greqia e ruajti de facto pushtetin e saj pothuajse mbi të gjithë Shqipërinë e jugut, territor që e quajti Epiri i Veriut.

Çamëria në pjesën jugore të kufirit u përfshi drejtpërsëdrejti në territorin e shtetit grek, pas pushtimit që ky i fundit i bëri në vitin 1913. Në fillimin e Luftës së Parë Botërore në verën e vitit 1914, shteti i ri shqiptar praktikisht kishte reshtur së ekzistuari, ndaj dhe as që mund të mendohej një rikthim i Çamërisë nën kontrollin shqiptar. Një administratë e re greke u themelua për të entuziazmuar popullsinë ortodokse greke, por që në fillim, veprimtaria e saj i tjetërsoi banorët myslimanë shqiptarë, ndoshta qëllimisht. Gradualisht u bë e qartë që shqiptarët ortodoksë duhej të asimiloheshin, ndërsa ata myslimanë do të dëboheshin nga vendi. Në rrjedhën e viteve që pasuan, përfshirë dhe ato të Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, trysnia u ushtrua në mënyra të ndryshme, që nga format më të lehta deri tek ato më të dhunshme, duke i nxitur dhe detyruar myslimanët shqiptarë që ta braktisnin Çamërinë. Bandat paramilitare, si për shembull ajo e Deli Janakisit, sulmuan fshatrat shqiptarë, duke e terrorizuar popullsinë dhe duke internuar qindra burra e të rinj nëpër kampe të burgosurish, të ngritur nëpër ishujt e Detit Egje. Hapësira të mëdha toke u shpronësuan me pretendimin e një reforme agrare, në këmbim të një kompensimi qesharak apo duke mos u dhënë pronarëve asgjë, duke i detyruar kështu familjet e pasura myslimane shqiptare t’ia mbathnin.

Në janar 1917, për një periudhë kohe trupat italiane pushtuan Konicën, Delvinakin dhe Sajadën, duke e zëvendësuar administratën greke me një administratë shqiptare. Pas viteve të tëra shtypjeje, situata u përmbys dhe shqiptarët morën hak ndaj fshatrave greke, duke i plaçkitur dhe bastisur.

Lufta e Parë Botërore u pasua nga lufta greko-turke e 1919-1922. Një ndër pasojat e këtij konflikti të përgjakshëm ishte një zhvendosje e madhe popullsie. Sipas Marrëveshjes së Shkëmbimit të popullsive greke dhe turke, nënshkruar në Lozanë më 30 janar 1923, të krishterët ortodoksë të Turqisë, që ishin një popullsi prej më shumë sesa një milion banorësh, do të transferoheshin/dëboheshin në Greqi, ndërsa myslimanët që jetonin në Greqi do të transferoheshin/dëboheshin drejt Turqisë. Përjashtime u bënë vetëm për banorët grekë të Stambollit dhe për turqit që jetonin në Thrakinë perëndimore, ndërsa popullsia myslimane shqiptare e Çamërisë dhe Epirit as që përmendeshin në Marrëveshje. Më 19 janar 1923, Qeveria Greke deklaroi se myslimanët shqiptarë do të përjashtoheshin nga shkëmbimi i propozuar, gjë që shkaktoi ankth të madh në Çamëri. Një Komision i Përzier i Ligës së Kombeve, pa asnjë përfaqësues shqiptar, u dërgua në rajon për të përcaktuar origjinën e popullsisë myslimane. Detyra e tij nuk ishte aq e lehtë sa mund të mendojë dikush, për shkak se shumë çamë, duke pasur parasysh persekutimin dhe diskriminimin zyrtar apo jozyrtar që kishin vuajtur nën autoritetet greke, dëshiruan të përfshiheshin në shkëmbimin në fjalë dhe të largoheshin nga vendi. Të tjerëve, pavarësisht zotimeve të Qeverisë Greke, thjesht iu tha që të mblidhnin plaçkat e t’ia mbathnin për në Turqi, tokat dhe shtëpitë e të cilëve më pas u populluan nga refugjatët grekë të Anadollit.

Fillimi i viteve 1930 dëshmoi një përmirësim të marrëdhënieve midis shqiptarëve çamë dhe shtetit grek, veçanërisht gjatë viteve të administratës së kryeministrit Eleftherios Venizelos (1864-1936), por gjërat u përkeqësuan në mënyrë dramatike pas vitit 1936, me fillimin e diktaturës së Ioannis Metaxas (1871-1941), kur politikat e shtypjes së hapur nisën të zbatoheshin përsëri. Përdorimi i gjuhës shqipe u ndalua në hapësirën publike dhe private, ndërsa librat dhe gazetat shqiptare nuk u toleruan më. Arsimi në gjuhën shqipe në Çamëri ishte ndaluar rreptësisht që nga viti 1913. Me pretekstin e kërkimit të armëve, policia greke i bastiste rregullisht shtëpitë e çamëve dhe i rrihte banorët, veprime këto që shpesh shoqëroheshin edhe me arrestime arbitrare. Edhe në periudhat kur presioni nuk ishte kaq i lartë, shqiptarëve të Çamërisë u lihej të kuptonin se në Greqi nuk ishin të mirëpritur.

Në prill të vitit 1939, forcat italiane nën diktatorin fashist Benito Mussolini (1883-1945) pushtuan Shqipërinë dhe, brenda pesë ditëve, e detyruan Mbretin Zog që të largohej nga vendi. Me këtë pushtim të beftë, Shqipëria e humbi pavarësinë e saj dhe u përfshi në Perandorinë e re Romake të Mussolinit. Më pas italianët ia vunë syrin Greqisë. Duke u përgatitur për fushatën kundër saj, mëkëmbësimi italian i Shqipërisë, Francesco Jacomoni nga San Savino (1893-1973) filloi të shqetësohej për keqtrajtimin e minoritetit çam, duke aluduar që nën sundimin italian, gjërat do të përmirësoheshin dhe Çamëria do të ribashkohej me Shqipërinë. Gjetja pa kokë e trupit të udhëheqësit rebel çam Daut Hoxha (1895-1940), të cilit u pretendua se iu pre koka nga agjentët grekë, shërbeu si një pikë kthese. Koka e tij e prerë qarkulloi nëpër fshatrat e rajonit për të frikësuar banorët dhe për t’i detyruar ata t’ia mbathnin. Ministri i Jashtëm italian, konti Galeazzo Ciano (1903-1944), në gusht të vitit 1940 intensifikoi përpjekjet diplomatike për të ndërtuar një marrëveshje midis dy vendeve, duke e bindur kështu Mussolini-n rreth domosdoshmërisë e pushtimit të Greqisë.

Është e kuptueshme që çamët, pas ishin trajtuar për një çerek shekulli si qytetarë të dorës së dytë nën sundimin grek, nuk u treguan aspak armiqësorë ndaj ndryshimit të regjimit. Shumë prej tyre ishin të bindur se pushtimi italian i Greqisë do ta përmirësonte ndjeshëm fatin e tyre, gjë që në të vërtetë në njëfarë mase edhe ndodhi. Me pushtimin italian të Çamërisë dhe Epirit në fundin e tetorit 1940 situata ndryshoi edhe një herë, kësaj radhe në dëm të ortodoksëve grekë të rajonit, të cilët e gjetën veten nën autoritetin, kontrollin dhe persekutimin çam. Në verën e vitit 1942, një administratë civile çame e përbërë nga këshille (këshilla) lokale e kishte zëvendësuar pothuajse tërësisht strukturën greke. Si autoritetet italiane në Çamëri, ashtu si dhe gjermanët që i pasuan ata në shtator 1943, i theksuan rivalitetet tradicionale me bazë etnike midis shqiptarëve, grekëve dhe vllehve, me qëllim që ta ruanin sundimin e tyre. Shqiptarët dhe vllehtë, dikur të nënshtruar, tani u promovuan dhe u krijuan njësi të tëra të përbërë vetëm nga çamë për ta mbajtur nën kontroll popullsinë greke. Një mision ushtarak britanik u takua me udhëheqësit çamë të cilët vepronin nën pushtimin gjerman, duke u përpjekur t’i bindnin që të rebeloheshin kundër Gjermanisë, por çamët duke vepruar me logjikë refuzuan, jo nga dashuria për Gjermaninë Naziste, por sepse ajo që britanikët u ofronin ishte një rikthim nën kontrollin grek.

Me tërheqjen e gjermanëve gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës së vitit 1944, Greqia u përfshi në grahmat e një lufte të përgjakshme civile. Forcat britanike, në padurim për të siguruar bregdetin e Jonit për të marrë mbështetje detare, i nxitën forcat e një komandanti ushtarak vendas, gjeneralit Napoleon Zervas (1891-1957), që ta pushtonin të gjithë rajonin. Zervas-i, themeluesi dhe udhëheqësi i lëvizjes së rezistencës greke të quajtur Liga Kombëtare Republikane Greke (Ethnikos Demokratikos Ellenikos Syndesmos – EDES), u bë i njohur për spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë, veçanërisht në periudhën qershor 1944-mars 1945. Ai dhe shumë nga trupat e tij çamët i konsideruan si bashkëpunëtorë me italianët dhe gjermanët, ndaj dhe morën hak. Gjatë këtij inkursioni u vranë mijëra burra, gra dhe fëmijë çamë. Më 27 qershor 1944, forcat e tij hynë në qytetin e Paramithisë dhe vranë rreth 600 myslimanë çamë, burra gra dhe fëmijë, në një shpërthim të papërshkrueshëm dhune. Shumë nga viktimat u përdhunuan dhe u torturuan përpara se të vriteshin. Një tjetër batalion i EDES, të nesërmen avancoi deri në Pargë, ku u vranë edhe 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, fshati i Spatarit pranë Filatit u plaçkit i gjithi, sulm nga ku mbetën të vrarë 157 njerëz. Gra dhe vajza të shumta u përdhunuan, por u kryen edhe krime të tjera të padëgjuara. Shoqata Çamëria e Tiranës vlerëson se gjatë sulmeve ndaj fshatrave çame në periudhën 1944-1945, janë vrarë 2771 civilë shqiptarë. Menjëherë pas këtij tmerri, praktikisht e gjithë popullsia çame, e pambrojtur dhe e frikësuar, mori malet dhe ia mbathi në drejtim të Shqipërisë.

Kalimthi mund të vërejmë se në vitin 1947, pas Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht krimeve të luftës dhe faktit se u dyshua si bashkëpunëtor i nazistëve, Napoleon Zervas u emërua ministri grek i rendit.

Spastrimi i myslimanëve çamë të Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, shënoi dhe fundin e një kapitulli të dhimbshëm të historisë çame dhe fillimin e një tjetre. Shqipëria, drejt së cilës ia mbathën çamët e sfilitur e të uritur, pak përpara shkuarjes së tyre kishte rënë në kontrollin e Enver Hoxhës (1908-1985) dhe forcave të tij komuniste. Sunduesit e rinj marksistë nuk ishin plotësisht të gatshëm t’i ndihmonin bashkëkombësit e tyre të vuajtur, duke qenë se edhe ata dyshonin se mos çamët kishin qenë bashkëpunëtorë të fashistëve. Por megjithatë, atyre iu dha statusi i refugjatëve dhe u lejuan që të qëndronin në Shqipëri. Ishte Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (UNRRA), që në Shqipëri operoi si një organizatë ndihmuese nga shtatori 1945 deri në pranverën e vitit 1947, ajo që i ndihmoi çamët duke u dhënë tenda, ushqim dhe ushqime, nëpër kampet e tyre në qytetet e Vlorës, Fierit, Durrësit, Kavajës, Delvinës dhe Tiranës. Refugjatët çamë në fillim ishin nën mbikëqyrjen e të ashtuquajturit Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë që ishte krijuar në vitin 1944, si pjesë e Frontit Çlirimtar Antifashist Kombëtar, themeluar dhe drejtuar nga komunistët.

Në vitet që pasuan Luftën e Dytë Botërore, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë, u përpoq për rikthimin e çamëve në vendlindjen e tyre. Shumica e tyre nuk dëshironte të qëndronin në Shqipëri, veçanërisht për shkak të spastrimeve të llojit stalinist që po ndodhnin. Komiteti mbajti dy kongrese në vitin 1945, një në Konispol dhe një tjetër në Vlorë, shkroi memorandume dhe dërgoi telegram në mbështetje të qëllimeve që kishte. Çështja çame nga ana e Shqipërisë u dërgua edhe në Konferencën e Paqes së vitit 1946, mbajtur në Paris, por që të gjitha këto veprimtari rezultuan të kota. Përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar çështjen çame, në të shumtën e rasteve ranë në veshë të shurdhër. Për disa vite, çamët vazhduan të shpresonin se kur situata politike të qetësohej, do të mund të ktheheshin në Greqi. Por megjithatë, kjo nuk ndodhi. Edhe sot, në shekullin e njëzet e një, ata shpesh refuzohen nga zyrtarët grekë të emigracionit, duke mos u lejuar që të shkelin në Greqi, qoftë edhe për një vizitë të shkurtër.

Në fillim të viteve 1950, çështja çame u konsiderua e mbyllur. Autoritetet shqiptare u dhanë çamëve nënshtetësi të detyruar shqiptare dhe e shpërbënë Komitetin. Në vitet 1953 dhe 1954, autoritetet greke miratuan ligje që të gjitha pronat çame i deklaronin të braktisura dhe kështu u konfiskuan. Pas kësaj, nuk do të kishte më kurrë kthim pas.

Çamët në Shqipëri sot përbëjnë një bashkësi prej së paku 250.000 banorësh. Ata përfaqësohen nga Shoqata Politike Atdhetare Çamëria, që u krijua më 10 janar 1991 pas rënies së diktaturës komuniste. Kjo shoqatë vazhdon të bëjë thirrje për kthimin e çamëve në vendlindjen e tyre në Greqi, ashtu siç ka bërë thirrje edhe për një liri më të madhe kulturore për çamët ortodoksë që jetojnë atje. Ajo organizon një marshim nga Konispoli deri në kufirin grek çdo 27 qershor, duke kujtuar kështu dëbimin. Të lidhura me bashkësinë çame në Shqipëri është edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që sot ka dy deputetë në parlament, ashtu si dhe Instituti i Studimeve për Çamërinë, që kërkon të promovojë kërkimet akademike rreth historisë dhe kulturës së çamëve.

Shumë dekada kanë kaluar që nga ngjarjet tragjike të Luftës së Dytë Botërore, e megjithatë në mesin e çamëve ende ekziston një ndjesi e fortë padrejtësie dhe viktimizimi. Kjo është arsyeja se përse çështja çame nuk ka për t’u mbyllur ndonjëherë, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe marrëdhënieve përgjithësisht miqësore të grekëve dhe shqiptarëve si dy popuj. Sot nuk ekziston ndonjë përpjekje apo aludim serioz për ndonjë ndryshim të kufijve apo për një rikthim nën territorin shqiptar të krahinës së Çamërisë. Pas një shekulli në fuqi, kufiri aktual tashmë është pranuar universalisht. Por pyetja që shtrohet është: Çfarë dëshirojnë pra çamët?

Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, çamët që të gjithë u privuan nga nënshtetësia e tyre greke dhe të gjitha pronat që zotëronin, e sikur të mos mjaftonte kjo, edhe u dëbuan nga vendi i tyre. Ajo çfarë ata kërkojnë është një pranim i padrejtësisë që u është bërë. Ata gjithashtu kërkojnë një kthim të pronave dhe një kompensim për humbjet që u janë shkaktuar. Shumë të tjerë kërkojnë të rifitojnë të drejtën për të shkuar në vendlindjen e tyre, në Çamëri, pra një rikthim të nënshtetësisë greke. Një pengesë thelbësore për përmbushjen e këtyre qëllimeve është Ligji grek i Luftës i vitit 1940, që de juro është ende në fuqi. Për dekada me radhë, autoritetet greke janë fshehur pas gishtit dhe kanë refuzuar që edhe t’i diskutojnë këto probleme. Madje janë sjellë sikur e mohojnë tërësisht ekzistencën e ndonjë çështjeje çame, apo edhe të ndonjë bashkësie shqiptarësh në Greqi.

Ndërkohë që çështjet e pronave janë delikate dhe të vështira për t’u zgjidhur, duhet theksuar se Çamëria është një rajon jo fort i populluar. Nëse çamët do të lejoheshin të riktheheshin në shtëpitë dhe zejet e tyre, nuk ka dyshim se do të kontribuonin në fuqizimin e ekonomisë së Epirit. Kthimi i tyre do t’i jepte gjithashtu fund edhe mërisë së fshehtë që ata ende kanë. Përdorimi i gjuhës shqipe nga ky minoritet nuk do të paraqiste kurrfarë rreziku për integritetin e shtetit grek, njësoj siç grekët që jetojnë në jug të Shqipërisë, të cilët gëzojnë status të plotë minoritar, nuk paraqesin asnjë rrezik për integritetin e shtetit shqiptar.

Për ta mbyllur, janë evropianët ata që duhet të ndërhyjnë në çështjen çame dhe të gjejnë një zgjidhje. Ne shpresojmë se një ditë që të mos jetë fort e largët, duke ndjekur shembullin e Evropës perëndimore, kufiri midis Greqisë dhe Shqipërisë të rrëzohet dhe të shndërrohet në të padukshëm, duke mundësuar kështu që popujt e të dy vendeve të jenë të lirë të shkojnë ku të dëshirojnë, duke e lënë pas krahëve të shkuarën e zymtë.

Qëllimi i këtij libri

Ky vëllim për herë të parë në gjuhën angleze sjell një numër të madh dokumentesh historike rreth Çamërisë dhe shqiptarëve çamë si një pakicë etnike në Greqi, me shpresën për të arritur një kuptim më të mirë të historisë së tyre dhe të çështjes çame në tërësi. Dokumentet, përfshirë shumë nga arkivat e Zyrës së Jashtme Britanike, janë renditur kronologjikisht dhe janë grupuar përreth tre momenteve domethënëse të historisë çame: 1. Çamëria nga Perandoria Osmane deri në Pavarësinë e Shqipërisë dhe Luftën e Parë Botërore; 2. Çamëria pas Traktatit të Lozanës së 1923-shit dhe 3. Çamëria në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj. Ky libër pra synon të hedhë dritë mbi një kapitull të neglizhuar të historisë së Ballkanit jugor, sado keqardhje apo irritim që mund të shkaktojë te disa lexues. E shkuara nuk mund të ndryshojë, por e ardhmja po.

Robert Elsie

Scheveningen (Holandë)

Prill 2012

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika