Çështja e dialogut, zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe gjithçka nga vizita e Lajçakut në Kosovë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të mërkurën e 29 qershorit do të mbyllë vizitën e tij në Kosovë. Çështja e dialogut dhe të pagjeturit kanë qenë fokusi i vizitës treditore

Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, të mërkurën e 29 qershorit do të mbyllë vizitën e tij treditore në Kosovë.

Lajçak, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është takuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, dhe liderët e partive opozitare.

Pas takimit me të parin e qeverisë, Lajçak përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, e kishte uruar Kurtin lidhur me arritjen e marrëveshjes për energjinë me Serbinë.

“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka shkruar ai.

Lajçak, po ashtu, është shprehur se zbardhja e fatit të më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente.

“Zbulimi i fatit të më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente. Të gjithë të dashurit – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike – meritojnë mbyllje. Kjo është arsyeja pse unë vizitova Qendrën e Dokumentacionit, u takova me Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur dhe mora pjesë në shfaqjen e “Uji dhe qirinjtë”, shkori ai në një postim në Twitter.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth gjashtë mijë e 500 persona.

Lidhur me takimin midis Kurtit dhe Lajçak, kanë njoftuar edhe nga zyra e kryeministrisë.

Gjatë takimit është biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti kishte ritheksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke.

Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Në ditën e dytë të qendrimit në Kosovë, Lajçak takoi tre krerët e partive opozitare në vend.

Fillimisht, ai u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Temë kryesore në këto takime ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe opozitarët kërkuan që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke.

Në takimin e tij me Lajçak, Kransiqi e kishte njoftuar atë për qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke.

Krasniqi takon Lajçakun, i përsërit qëndrimin e PDK-së se dialogu duhet të mbyllet me njohje reciproke

“Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte deklaruar Krasniqi.

Në anën tjetër, në takimin midis Haradinajt dhe Lajçak, është diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përkushtimin e Kosovës për një marrëveshje e cila si përfundim ka për qëllim njohjen reciproke.

Haradinaj ka theksuar nevojën e përfshirjes së SHBA-së në dialog.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak

“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkaq, Abdixhiku dhe Lajçak diskutuan për gjendjen e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Abdixhiku ia kishte theksuar synimin e LDK-së Lajçakut se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pamje të takimit në mes të Abdixhikut dhe Lajçakut

Në fund të takimit, kryetari i LDK-së ka kërkuar përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, çështje e cila u adresua në Rezolutën e EPP-së që u votua në fillim të qershorit.

Ndryshe, mëngjesin e së mërkurës është paraparë të mbahet një konferencë për media në prag të largimit të tij.

Ndërsa pas Kosovës, diplomati sllovak do ta vizitojë Serbinë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika