Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas paraqitjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku dy të akuzuar, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani, u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave për kanosje.
Në reagimin e saj, Çitaku ka thënë se ndërsa Kurti shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut për një status në Facebook, ai refuzon të përgjigjet kur bëhet fjalë për “afera milionëshe” të vartësve të tij.
“Pra, A.K. shkon në gjykatë për të dëshmuar kundër Klinakut, “krimi” i të cilit ishte një status në Facebook.
Në seancën e mbajtur më 3 shtator, prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën, sipas së cilës Klinaku dhe Selmani dyshohet se më 2023 kishin publikuar shkrime me përmbajtje kërcënuese në Facebook ndaj Kurtit.
Të dy të akuzuarit i hodhën poshtë pretendimet, duke u deklaruar të pafajshëm.
Kryeministri në detyrë, i pranishëm në cilësinë e të dëmtuarit, tha se nuk do të paraqesë kërkesë pasurore juridike. Pas deklarimeve, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi mbrojtjen se brenda 30 ditësh mund të paraqesë kundërshtim të provave.