Culaj: Polarizimi politik kërcënim serioz për sigurinë në Kosovë

Polarizimi politik dhe shoqëror është shndërruar në një nga fenomenet më shqetësuese dhe potencialisht destabilizuese për funksionimin e demokracive bashkëkohore, vlerëson hulumtuesi i jashtëm i Institutit Octopus, Gjon Culaj.

Sipas tij, nga perspektiva e studimeve bashkëkohore të sigurisë, stabiliteti politik dhe kohezioni social janë elemente thelbësore të sigurisë gjithëpërfshirëse, përtej dimensionit tradicional ushtarak.

Culaj thekson se thellimi i ndarjeve politike dobëson besimin në institucione dhe e bën gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e dialogut të qëndrueshëm.

“Polarizimi politik dhe shoqëror përbën kërcënim të drejtpërdrejt për stabilitetin dhe kohezionin shoqëror, pasi ai e dobëson funksionimin institucional dhe rrit mundësinë e përshkallëzimit të krizave”, vlerëson ai.

Duke iu referuar teorive të sigurisë, Culaj thekson se diskursi politik shpesh prodhon perceptime të rrezikut, të cilat nuk burojnë domosdoshmërisht nga realiteti, por nga mënyra se si ai paraqitet në hapësirën publike. Në këtë kontekst, kundërshtarët politikë paraqiten si kërcënim për shtetin, duke çuar në refuzim bashkëpunimi dhe bllokim institucional.

Ai paralajmëron se një fenomen i tillë është i dukshëm edhe në Kosovë, ku rivaliteti i ashpër politik shpesh kalon në tentativa për delegjitimim të palës tjetër, duke dëmtuar funksionimin demokratik dhe besimin e qytetarëve në institucione.

Në analizën e tij, Culaj ndërlidh polarizimin edhe me konfliktet e identitetit, duke theksuar se përplasjet politike në Kosovë shpesh tejkalojnë dallimet programore dhe marrin dimension emocional dhe simbolik.

“Politika shndërrohet në arenë ku përplasen identitete dhe narrativa konkurruese për shtetin dhe legjitimitetin politik”, thekson ai.

Sipas tij, përdorimi i gjuhës së ashpër politike dhe kategorizimi i kundërshtarëve në terma moralë – si “patriotë” kundrejt “tradhtarëve” – rrit ndarjet shoqërore dhe e bën kompromisin politik gjithnjë e më të vështirë.

Në këtë linjë, hulumtuesi i Octopus vlerëson se polarizimi nuk është vetëm sfidë politike, por edhe rrezik për sigurinë kombëtare, pasi krijon hapësirë për manipulime të jashtme, dezinformim dhe operacione hibride që synojnë destabilizimin e shtetit.

Si alternativë, Culaj thekson nevojën për ndërtimin e konsensusit politik dhe shoqëror. Ai argumenton se konsensusi nuk është thjesht opsion, por domosdoshmëri strategjike për funksionimin e shtetit dhe përballimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme.

“Një shoqëri është e sigurt vetëm atëherë kur aktorët brenda saj nuk e shohin njëri-tjetrin si kërcënim. Prandaj, adresimi i polarizimit është komponent thelbësor i sigurisë kombëtare”, përfundon Culaj.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika