Daçiq pas pranimit të aplikimit të Kosovës në KiE: Kjo është një ditë për të cilën Këshilli i Evropës do të turpërohet

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka theksuar se kjo është një ditë për të cilën “Këshilli i Evropës do të turpërohet” dhe tha se delegacioni i Serbisë, i cili votoi kundër, u largua nga salla pas votimit

Ivica Daçiq, ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka vlerësuar se vendimi për nisjen e procedurës për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte i pritshëm.

Ai ka theksuar se kjo është një ditë për të cilën “Këshilli i Evropës do të turpërohet” dhe tha se delegacioni i Serbisë, i cili votoi kundër, u largua nga salla pas votimit.

Daçiq në agjencinë serbe të lajmeve Tanjug është shprehur falënderues ndaj Qipros, Spanjës, Rumanisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, e veçanërisht ndaj Hungarisë që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe sot votoi kundër.

“Në anën tjetër, jemi vërtet të zhgënjyer me qëndrimin dhe qasjen e Greqisë dhe Sllovakisë, si anëtare të BE-së, të cilat ishin të përmbajtura, para së gjithash për shkak se dëgjuam prej tyre se nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu dua t’ju kujtoj se Bosnja dhe Hercegovina ishte e përmbajtur, imagjinoni këtë ironi, imagjinoni nëse Republika Srpska do të aplikonte për anëtarësim tani, çfarë ironie dhe paturpësie do të ishte kjo dhe neve po na ligjërohet se po ndikojmë në shkatërrimin e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Ata drejtpërdrejt po marrin pjesë në shkatërrimin e integritetit territorial të Serbisë”, potencoi Daçiç.

Ai theksoi veçanërisht qëndrimin e Ukrainës, duke deklaruar se ajo ishte e përmbajtur.

“Shikoni sa vështirësi kemi për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës, sa tensionohemi dhe votojmë kudo dhe justifikohemi sepse dikush na akuzon se nuk e mbështesim sa duhet integritetin territorial të Ukrainës dhe Ukraina voton me përmbajtje kur bëhet fjalë për integritetin tonë territorial. Absolutisht e papranueshme. Armenia gjithashtu nuk ishte në sallë kur u zhvillua votimi. Ne nuk prisnim lëvizje të tilla nga ato vende”, tha Daçiq.

Kur është fjala për Malin e Zi, Daçiç thotë se ai vetë nuk e di nëse është i befasuar apo jo.

“Më duhet të them se sigurisht që do të lërë disa pasoja në marrëdhëniet tona”, shtoi ai.

Kryediplomati serb theksoi se “ky është një mësim për Serbinë” që nuk duhet të humbasë kurrë shumicën në OKB.

Ndryshe, të hënën aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka kaluar fazën e parë.

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës (KIE), vendosi të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi vendi ynë paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka zbuluar mënyrën se si kanë votuar shtetet.

Me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime u miratua kërkesa e Kosovës.

Pro anëtarësimit të Kosovës votuan: Shqipëria, Andorra, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ndërkaq vota kundër e Hungarisë së drejtuar nga Viktor Orban, shtet ky që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, ishte befasia e kësaj ngjarjeje.

Pos Hungarisë kundër votuan edhe Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani e Serbia.

Kanë abstenuar: Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja.

Ndërkaq shteti i Armenisë nuk ka marrë pjesë fare në votim.

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtete anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

Me këtë vendim, Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Këtë e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti hap historik dhe më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.

“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi ajo.

Gërvalla theksoi se mbetet ende shumë punë për të bërë, dhe se procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe me sfida.

Ministrja i ka falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur Kosovën për këtë sukses, duke i përmendur në veçanti shtetet, të cilat nuk e kanë njohur formalisht shtetin e Kosovës, që po ashtu nuk e kanë bllokuar.

Po ashtu, i ka falënderuar ShBA-të, Zyrën e Presidentes, të kryetarit të Kuvendit, të kryeministrit dhe Ministrinë që ajo e drejton.

Tutje, ajo ka thënë se në fillim ka pasur skpeticizëm për aplikimin e Kosovës në KiE, por që guximi, sipas saj, ka qenë tejet i madh.

Kosova e kishte dorëzuar aplikimin për në KiE më 12 maj të vitit të kaluar.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika