Deputeti gjerman: S’mund të zhvillohen normalisht negociatat për në BE dhe njëkohësisht të luhet me zjarrin në veri

Deputeti gjerman, Knut Abraham, derisa ka folur për situatën në veri ka thënë se e njëjta po përkeqësohet dhe sipas tij kjo është e dëmshme për aspiratat e dy vendeve drejt integrimit evropian

Deputeti gjerman, Knut Abraham

Deputeti gjerman, Knut Abraham, është shprehur i shqetësuar për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Gjatë një analize të zhvillimeve aktuale në Kosovë, Abraham në një intervistë për DW, ka thënë se situata po përkeqësohet dhe se e njëjta është e dëmshme për aspiratat e dy vendeve drejt integrimit evropian.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në veri të Kosovës, sepse situata këtu po përkeqësohet. Dhe kjo është absolutisht e dëmshme për aspiratat e përbashkëta të Serbisë dhe Kosovës drejt Evropës”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e nevojshme të flitet me të dyja palët.

Abraham ka theksuar se pala serbe duhet të kuptojë se nuk mund të ketë një qasje të dyfishtë.

“Nuk është e mundur të zhvillohen normalisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në të njëjtën kohë të luhet me zjarrin në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Ndonëse e kupton se Qeveria e Kosovës, si qeveri e një shteti sovran, dëshiron të zbatojë rregullat që vlejnë për të gjithë njerëzit në territorin e saj, megjithatë, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë për çdo hap, nëse e ndihmon qëllimin apo jo.

“Pra, kam mirëkuptim që ajo dëshiron të zbatojë vendimin për targat, por duhet të merret parasysh nëse është kaq e mençur të zbatohen dënimet. Këshilla jonë është që me mençuri të mendohet për pasojat e dyta dhe të treta të masave që merren. Për agjitatorët dhe ekstremistët është e lehtë kur ka një çështje që shqetëson edhe njerëzit e zakonshëm, atëherë edhe njerëzit e zakonshëm janë të gatshëm të mirëpresin gjëra që ata zakonisht nuk i mirëpresin”, është shprehur deputeti gjerman.

Abraham thotë se ndonëse dikur kishte shpresa për një normalizim të marrëdhënieve ku flitej për menaxhim kufijsh dhe institucione rajonale, tani “për fat të keq, ka mbetur shumë pak nga kjo frymë”.

“Prapëseprapë, bisedimet kanë vlerën e tyre, palët duhet të ulen në tryezë edhe nëse ato i bërtasin njëra-tjetrës. Pra, dialogu nuk duhet të shpallet kurrsesi si i dështuar. Por duhet pranuar se për momentin nuk ka asnjë lëvizje. Kjo është arsyeja pse të dyja palëve u duhet thënë qartë që të kthehen në bisedime. Pa një modus vivendi, pa një marrëveshje për bashkëjetesë, do të jetë e vështirë për të dy vendet që të vijnë në Evropë”.

Sa i përket Asociacionit të Komunave më Shumicë serbe, teksa Abraham jep vlerësimet e tij, ai beson se kjo është një zgjidhje që mund të ndodhë në planin afatgjatë.

“Një masë e tillë kërkon besim absolut në besnikërinë e qytetarëve që i përkasin një kombësie tjetër. Dhe nëse kjo besnikëri nuk ekziston, siç po vihet re tani, duke pasur parasysh shembujt negativë në veri të Kosovës, atëherë mungon fundamenti për një asociacion të tillë të komunitetit serb. Në terma afatgjatë, mendoj se kjo është një ide, së cilës mund t’i qaset një shtet i fortë dhe sovran. Por kërkon bazamentin e duhur dhe një plan. Dhe një hap i tillë nuk mund të bëhet me detyrim, kur besimi mungon në mënyrë të dukshme”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Abraham ka folur edhe për dënimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burg.

“Është një aktgjykim i ashpër, i cili sigurisht ngjalli kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën kundër shqiptarëve të Kosovës në atë kohë, por edhe vuajtjen e shumë serbëve. Unë kam mirëkuptim që në Kosovë këto gjëra po diskutohen dhe që emocionet janë të larta. Unë vetëm do të këshilloja, dhe kjo vlen edhe për mua personalisht, që vendimi i Gjykatës Speciale të pranohet dhe natyrisht të vëzhgohet se si do të punojë gjykata në rastet e tjera”, ka thënë ai.

Ndërkohë, derisa pyetet për mbështetjen e qeverisë federale gjermane ndaj Kosovës dhe aplikimit të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Abraham thotë se Gjermania është vërtet një mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne e shohim këtë përtej linjave partiake si një hap të rëndësishëm. Dhe Këshilli i Evropës është pikërisht organi i duhur në të cilin Kosova duhet të anëtarësohet në këtë moment. Hapat e ardhshëm janë që qeveria e Kosovës, dhe unë jam në kontakt të ngushtë me qeverinë, tani duhet të lobojë te shtetet e Këshillit të Evropës. Ajo duhet të flasë edhe me ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sepse edhe këto shtete mund ta mbështesin shumë mirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe unë jam shumë optimist, duke parë të gjitha sinjalet. Megjithatë, procesi i vendimmarrjes në vendet partnere duhet të kontrollohet vazhdimisht, pra të monitorohet”.

Ai shtoi se Gjermania është pozicionuar shumë qartë dhe është duke e promovuar Kosovën.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika