Dhjetëra sulme ndaj policëve, kërkohen ndëshkime të rrepta dhe sigurim shëndetësor

Sulmet ndaj zyrtarëve në Kosovë kanë shënuar një rritje të shqetësueshme me 120 raste në 10 muajt e fundit. Ekspertët bëjnë thirrje për masa të rrepta ligjore dhe sigurim shëndetësor për personelin policorë

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Nga janari deri në tetor të këtij viti, janë kryer gjithsej 120 raste të sulmeve ndaj zyrtarëve, ku sipas statistikave të siguruara nga Policia e Kosovës, shumica e rasteve janë ndaj zyrtarëve policorë.

Përkundër rrezikshmërisë në punë, ata nuk e gëzojnë as sigurimin shëndetësor.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka kërkuar që ndëshkimet për ata që i sulmojnë policët të jenë më të rrepta.

“Masat ndaj atyre që sulmojnë policët duhet të jenë më të rrepta”, ka deklaruar ai për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, masat e rrepta ligjore e mbrojnë personelin policor.

Dashevci ka thënë se përpos sulmeve ndaj policëve janë shtuar edhe krimet e tjera, siç janë vjedhjet e rënda apo grabitjet.

Sipas tij, kjo ka mundur të ndodhë për shkak edhe të situatës në veri të vendit dhe koncentrimit të Policisë më shumë në atë pjesë të vendit.

“Në periudhën Janar -Tetor 2023, përpos që janë shpeshtuar rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, janë shpeshtuar edhe rastet e vjedhjeve të rënda dhe grabitjeve gjithashtu. Kjo është dukuri shqetësuese, duke pasur parasysh që Policia e Kosovës është e koncentruar në veriun e vendin për shtrirjen e plotë të sovranitetit në atë pjesë. Andaj masat ligjore ndëshkimore ndaj atyre që i sulmojnë policët e Kosovës pa dyshim se duhet të jenë më të rrepta, duke u bazuar në ligjet në fuqi. Të sulmosh zyrtarët policorë do të thotë sulm ndaj ligjit, në këtë rast zbatuesit te ligjit. Masat më të rrepta ligjore janë të domosdoshme”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.

Dashevci ka ngritur shqetësime të forta edhe për kushtet e punës dhe sigurinë e personelit policor.

Ai e ka kritikuar nivelin e pagave, duke potencuar se Policia e Kosovës, e cila buron nga populli dhe i shërben popullit, meriton një pagë dinjitoze për punën e tyre të vështirë dhe të rrezikshme.

Arben Dashevci, ekspert i sigurisë

Duke theksuar punën njëzet e katër orë në ditë të Policisë dhe nevojën për përmirësime të menjëhershme, ai ka apeluar për fuqizim në aspektin e burimeve njerëzore, logjistikës dhe teknologjisë.

Sipas tij, dorëheqjet e zyrtarëve policorë janë shqetësuese.

“Dorëheqjet janë tepër shqetësuese sipas mendimit tim, nevojitet fuqizimi i institucionit policor si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe ne ato logjistike e teknologjike, krahas zhvillimit dhe avancimit të teknologjisë. Krijimi i kushteve me të mira për punë, mirëqenia më e sigurt dhe më e lartë janë nevojë po ballafaqohemi me inflacion të lartë, me çmime të larta në çdo artikull ushqimor, policia është e popullit dhe buron nga populli meriton pagë dinjitoze sepse puna e tyre është specifike, gjithashtu përfshirë avancimin profesional këto janë të domosdoshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, fuqizimi dhe rregullimi i mirëqenies së zyrtarëve policorë, si dhe rregullimi i sigurimit shëndetësor dhe jetësor janë nevojë dhe jo luks.

Ai ka vlerësuar punën e njësive speciale dhe ka thënë se shtesat e miratuara nga Qeveria e Kosovës për policët duhet të jenë më të larta, duke theksuar se ata ballafaqohen me rrezikshmëri të lartë dhe se kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre në situata të vështira.

“Fakti që njësitë tona speciale ballafaqohen me rrezikshmëri të lartë, ku e dëshmuan profesionalitetin e tyre të paparë deri më sot, shtesat, sipas mendimit tim, duhet të jenë më të larta, sepse puna e tyre është meritore, profesionale dhe e pashembullt”, ka deklaruar Dashevci.

“Sigurimi shëndetësor dhe jetësor janë prioritetet kryesore të zyrtarëve policorë”

Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka theksuar se, megjithëse policia është e pajisur me pajisje të nevojshme për sigurinë, shtesat për rrezikshmëri janë ende në nivele jo të kënaqshme për zyrtarët.

“Shtesat për rrezikshmëri janë shumë më pak sesa kishim para implementimit të Ligjit të Pagave. Zyrtarët policorë janë të rrezikuar dhe është e rëndësishme që ata të kenë kushte të sigurta dhe efektive për t’u mbrojtur në detyrën e tyre,” ka thënë Zeqiri për Dukagjinin.

Ai ka thënë se sigurimi shëndetësor dhe jetësor janë prioritetet kryesore të zyrtarëve policorë.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për faktin që shumë nga shtesat për rrezikshmëri janë ende në nivelin e ligjit të mëparshëm të pagave, ndërsa kushtet shëndetësore nuk janë në nivelin e duhur.

Nga numri i lartë i dorëheqjeve vullnetare të policëve, me mbi 2 mijë e 300 raste, kryesindikalisti Zeqiri ka bërë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e kushteve në Policinë e vendit.

Imer Zeqiri – kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës

“Duke u bazuar në numrin e lartë të dorëheqjeve vullnetare, mbi 2 mijë e 300 raste, është e qartë se duhet të ndërmerren masa për përmirësimin e kushteve në policinë tonë. Përmirësimi i kushteve do të ndikonte drejtpërdrejt në parandalimin e dorëheqjeve”, është shprehur Zeqiri.

Kujtojmë se më 27 tetor, Qeveria e Kosovës i ka prezantuar shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitet elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto ndryshime në strukturën e pagave dhe shtesave, sipas burimeve zyrtare, do të hyjnë në fuqi nga muaji nëntor.

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës variojnë nga 210 euro për kadetët policorë deri në mbi 1.500 euro për drejtorin e Përgjithshëm.

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika