Disa gjyqtarë serbë kërkojnë nga KGJK rikthimin në vendet e punës në veri

Gati katër vjet pasi kishin ofruar dorëheqjet e tyre e që të njëjtat nuk ishin trajtuar, disa gjyqtarë serbë kanë dorëzuar kërkesë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës në veri.

KALLXO.com mëson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar disa kërkesa por ende nuk kanë numër të saktë.

Ashtu sikurse kërkesat e dorëheqjes, edhe ato të rikthimit ende nuk janë trajtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Më 05.11.2022, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal dhe nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një tjetër takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillonte të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit.

Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat në veri me shumicë serbe, në atë kohë kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

E gjitha erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletëqortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Dy ditë pas dorëheqjes, më saktësisht me 07.11.2022 në një komunikatë thuhej se Këshilli kishte mbajtur takim për situatën që ishte krijuar në very me dorëheqjet e gjyqtarëve serbë. Në këtë takim Këshilli nuk i kishte trajtuar këto dorëheqje të gjyqtarëve pasi që për ta paraprakisht do të kishte raport vlerësimi.

“Këshilli nuk i shqyrtoi dorëheqjet e gjyqtarëve dhe të punonjësve mbështetës në takimin e sotëm pasi që paraprakisht do të ketë raport vlerësimi nga autoritetet kompetente për përgjegjësinë e të gjitha subjekteve të përfshira në aktivitetet e fundit që ndërlidhen me situatën e krijuar”- thuhej në komunikatë.

Nëpërmjet kësaj komunikate, Këshilli kërkonte nga Qeveria e Kosovës dhe Policia që të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Këshilli kërkon nga Qeveria e Republikës së dhe Policia që menjëherë të vlerësojnë situatën e sigurisë dhe të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektet në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”- thuhej tutje në komunikatë.

Dorëheqja solli më pas edhe trazira.

Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës u bëri thirrje serbëve nga veriu i vendit që t’i “bojkotojnë plotësisht” zgjedhjet lokale, të planifikuara më 23.04.2023.

Në deklaratë thuhej se kjo parti i bën thirrje “të gjithë popullit serb” që të qëndrojë i qetë të dielën dhe të mos bjerë në “provokimet e regjimit të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”, qëllim i vetëm i të cilit, siç tha, është “dëbimi i serbëve nga veriu”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje. Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Këto zgjedhje sollën muaj më vonë edhe situatë tensioni, protesta të dhunshme në veri të Mitrovicës.

Protestat në komunat veriore (Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) kishin në qendër kundërshtimin e kryetarëve shqiptarë të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e mbajtura më 23.04.2023. Tensionet më të mëdha shpërthyen në maj të vitit 2023, kur serbët lokalë bllokuan ndërtesat komunale për të penguar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur.

Protestuesit serbë në Zveçan gjatë protestave të dhunshme lënduan 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës, e disa prej tyre mbetën edhe me lëndime të rënda.

Të fundit nga rubrika