“Ditë historike”- Kosova nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE 

Tre udhëheqësit e shtetit kanë nënshkruar sot aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Presidentja, kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri e kanë quajtur këtë ditë historike, duke thënë se Kosova si një vend i paqes dhe i respektimit të të drejtave të njeriut, e meriton të jetë pjesë e BE-së. Zyrtarisht, aplikimi pritet të dorëzohet nesër

Aspirata shumë vjeçare e Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes evropiane është hedhur në letër të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky veprim është vlerësuar si historik nga udhëheqësja e shtetit.

“Ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne do ta bëjmë pjesën e punës në mënyrë që BE-ja ta ketë më lehtë rrugën e vet. Ne po bëjmë hap historik që BE-ja të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik”, ka deklaruar Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.

Marrja e statusit të vendit kandidat ka peshë të konsiderueshme sipas kryeparlamentarit Konjufca, i cili tha se kjo vlerësohet edhe si vula e parë e perspektivës evropiane.

Andaj, ai kërkoi reflektimin e institucioneve evropiane karshi kërkesës së Kosovës.

“E ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe në këtë mënyrë të na inkurajojnë të gjithëve që të t’i ndërmarrim reformat e nevojshme”, ka deklaruar Konjufca.

I vetëdijshëm për kohën që do të marr e vështirësitë që mund të dalin rrugës është edhe kryeministri Kurti.

Por, ai beson në tejkalimin e sfidave.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm”, ka deklauar Kurti.

Ceremonia ka përkuar me 4-vjetorin e miratimit të ligjeve që i hapën rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Aplikimi pritet që të enjten t’i dorëzohet zyrtarisht presidencës Çeke të BE-së, në Pragë.

 

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika