Fushata online kundër NATO-s dhe ushtrisë amerikane në veri, eksperti i sigurisë e cilëson “propagandë”

Më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan. Pas identifikimit të një ushtari amerikan, në Twitter po zhvillohet një fushatë kërcënuese ndaj tij nga serbët. Eksperti i sigurisë, Bedri Elezaj, thotë se gjëra të tilla nuk duhet injoruar, gjersa nuk e mohon as ndikimin e asaj që ai e cilësoi si "propagandë" serbe

“Stanely duhet të shkojë në shtëpi”, “Amerikanët duhet të largohen dhe t’i lënë serbët e gjorë të fillojnë t’i vrasin, djegin dhe dhunojnë shqiptarët përsëri”, “Ai djalë mund të jetë një qengj sakrifice për NATO-n, mund ta nxirrini jashtë”, “Stanley është një ushtar fashist”, “Stanley duhet të shkojë në shtëpi ose të vritet”, janë vetëm disa nga shprehjet të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë në Twitter në foton e publikuar të një ushtari të NATO-s që shërben në Kosovë.

Nuk kaloi shumë kohë që rreth 30 ushtarë mbetën të plagosur nga protestat e serbëve në veri të Kosovës.

Tashmë një lloj “fushate” ka nisur në platformën Twitter me rastin e identifikimit të njërit nga ushtarët amerikanë.

Llogari të ndryshme kanë shprehur kërcënime ndaj ushtarit Stanely. Disa e kanë quajtur “fashist”, gjersa të tjerë kanë shprehur kërcënime për prezencën e tij në veri duke shkruar “Stanley duhet të shkojë në shtëpi ose të vritet”.

Se sa duhet të identifikohen personat që bëjnë postime të tilla dhe, madje, edhe vetë informacionet, njohësi i sigurisë Bedri Elezaj ka thënë se është Agjencia e Kosovës për Inteligjencë(AKI) ajo e cila duhet të aktivizojë burimet e saj dhe jo vetëm.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ai thotë se krahas AKI-së dhe burimeve të saj, bashkëpunimi me ndërkombëtarët në raste të tilla duhet të jetë më se evident.

“Në këtë rast është Agjencia e Kosovës për Inteligjencë si dhe njësitë e veçanta të Policisë së Kosovës për Inteligjencë, Drejtoria e Inteligjencës apo edhe njësitë e tjera në kuadër të KFOR-it, të cilat kanë për detyrë hulumtimin dhe identifikimin e përpunimin e informacioneve të cilat kanë të bëjnë me sigurinë dhe për sigurinë e pjesëtarëve të NATO-s apo ata të Policisë së Kosovës, për cilindo person apo insitucion i cili konsiderohet në mandat të ndjeshëm”.

“Në rastin konkret, kujtoj që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë duhet fillimisht të aktivizojë të gjitha burimet e saja, bashkëpunëtorët e saj të cilët ka në dispozicion apo edhe të shtojë aktivitetin e tyre për të siguruar informacionet në lidhje me veprimet në fjalë. Gjithashtu, të ushtrohet një bashkëpunim serioz me partnerët ndërkombëtarë, për të cilët besoj dhe mendoj se kanë burime të tyre në terren dhe këto burime mund të jenë të rëndësishme për të arritur tek informacionet e para se kush janë këta persona, ku janë të pozicionuar dhe çfarë mjete përdorin për të rrezikuar ushtarët  e KFOR-it në rastin konkret. Sidomos, bashkëpunimi me qytetarë dhe ndërinstitucional i institucioneve të sigurisë është tejet i nevojshëm në rastin konkret dhe i vetmi për të arritur deri tek informacionet, për të cilat edhe tani kemi shqetësime se mund të jenë informacione që konsiderohen serioze për sigurinë e pjesëtarëve të NATO-s, ushtarëve të KFOR-it”, ka thënë ai.

Se sa rrezik potencial mund të kenë shkrime të tilla, Elezaj ka thënë se një gjë është e sigurt. Shkrime të kësaj natyre nuk duhet injoruar.

“Te çështja e rrezikut potencial, kemi mundësi të kemi rreziqe, sidomos, kur nga pjesëtarët e KFOR-it  nuk janë në kontigjene në kolonat, por që janë në lëvizje të vetme apo në grupe të vogla të pjesëtarëve. Ne e dimë që shpeshherë në siguri janë trajtuar çështje ku kanë ndodhur prita dhe organizimet në rrugë dhe janë goditur në distancë, derisa ushtarët në këtë rast kanë qenë në lëvizje dhe mund të jetë e pamundur për ta të reagojnë shpejt ndërsa ata të organizojnë sulmet në pika të stacionuara ku mund të godasin me mjete të ndryshme luftarake, ku mund t’i rrezikojnë ata”, është shprehur ai.

Më tej, Elezaj ka thënë se “Asnjëherë nuk guxojmë t’i injorojmë informacionet e tilla, por duhet t’i trajtojmë me kujdesin maksimal. Nëse në të vërtet institucionet e sigurisë e sidomos Inteligjenca e NATO-s ka siguruar informacione që shkalla e rrezikshmërisë për këta pjesëtarë është e lartë, ata duhet të rrisin nivelin e gatishmërisë…ushtarët të lëvizin me mjete të blinduara dhe kolona ku eventualisht mund të ballafaqohen me aktivitete të dhunshme”, ka thënë ai.

Se a është kjo propagandë një e atillë kundër ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë SHBA-së në raport me Kosovën dhe sa mund të ketë ndikim, Elezaj thotë se ajo mund t’i afektojë ato.

“Pa dyshim, që çdo propagandë zhvillohet kundër paqeruajtësve dhe që bëhet fjalë për paqeruajtësit që veprojnë në Kosovë dhe të cilët janë të angazhuar për të mbrojtur qytetarët e Kosovës pa dallim etnie e që janë garantues të sigurisë së qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie, sepse janë me mandate për të ruajtur Kosovën…çdo fushatë, çdo propaganda, çdo kërkesë e ftesë për thirrje publike për cenimin e sigurisë së tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, padyshim që ndikon në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe atyre që janë anëtare të NATO-s, e njëherit, edhe me SHBA-të sepse SHBA-të ju e dini që janë garantueset kryesore të NATO-s për sigurinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Në protestat në Zveçan, Goran Rakiqit i ishte thënë nga një epror amerikan se plumbat drejtuar ushtarëve të KFOR-it nuk ishin nga një pjesëtarë brenda tyre, duke lënë të nënkuptohet se kishin ardhur nga jashtë, pra nga ana e protestuesve serbë.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetari i kësaj partie, Igor Simiq, duke biseduar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it. Zveçan, 29 maj 2023, REL.

Për protestuesit, eprori amerikan deklaroi se kishte qenë dëshmitar i sulmeve të tyre ndaj ushtarëve.

“Nuk mund ta harroj të hënën. Sepse e hëna e kësaj jave nuk mund të përsëritet më, për të vetmen arsye, që të sigurohem të mos ndodhë kurrë më. Me sytë e mi pashë një plumb jo larg nga vendi ku biseduam mbrëmjen e së hënës, një plumb që ishte shkrepur nga një armë. Ka shenja që bëhet vetëm atëherë kur shkrepet. Ai plumb mund të shkrepet nga plumbat të cilët askush këtu në NATO nuk i posedon. Armët nga të cilat shkrepet ai plumb nuk ishin këtu të hënën, por, disi, ai ishte këtu. Unë kam ushtarë, ushtarë të KFOR-it që kanë larguar plumbat nga pajisjet e tyre. Kjo është totalisht e papranueshme, sepse shumë nga ata (protestuesit), i kam parë vetë duke i lënduar ushtarët e KFORI-it me shokbomba të lidhura me gota qelqi…alkool ose lloje karburantesh që shkaktojnë zjarr”, kishte deklaruar eprori amerikan.

Protestat nisën më 26 maj, me mbledhjen e serbëve lokalë para objekteve të komunave, me qëllim pengimin e hyrjes në to të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit.

Zgjedhjet, në të cilat u zgjodhën këta kryetarë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve serbë.

Njëherit, më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe largimin e forcave të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier, ka ritheksuar se, sipas tij, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë krijuar situatat e fundit në veri.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika