Gazetari britanik, Graham Phillips, i cili në vitin 2019 ishte shpallur persona non grata në Kosovë, është duke i intervistuar robërit e luftës në Ukrainë, të cilët janë në burgjet ruse.
Philips kishte bërë disa reportazhe në vendin tonë.
Ai tallej me proamerikanizmin e qytetarëve, dhe e paraqiste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë terroriste. Ai kishte deklaruar se, Kosova është rezultat i spastrimit etnik të serbëve.
”Kosova si shtet i ri është rezultat i spastrimit etnik të serbëve”, kishte thënë ai.
Gjithashtu, Phillips kishte intervistuar edhe qytetarë, të cilëve u ishte prezantuar si gazetar nga Britania e Madhe.
Graham William Phillips është i vetëshpallur si ”gazetar ushtarak britanik”. Ai, fillimisht, ishte shfaqur në skenën ukrainase, duke raportuar për armiqësitë e dobishme për Kremlinin, gjersa punonte si korrespondent për kanalet televizive ruse RT (Russia Today) dhe Zvezda. Këto dy media janë të kontrolluara nga Kremlini.
Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar publikisht se gazetarët e Zvezda, konsiderohen si përfaqësues të forcave të armatosura.
Pas kërkesës të shumë qytetarëve, Phillips ishte larguar edhe nga ‘Twitter’, pasi bënte propagandë dhe shpërndante gënjeshtra si për Kosovën, ashtu edhe për Ukrainën.
Për shpalljen e tij,a person i padëshiruar në Kosovë, kishin raportuar edhe mediat ndërkombëtare, përfshirë ato britanike.

Duke mos mundur të veprojë në Kosovë, Phillips po punon për forcat ruse në Ukrainë që nga nisja e agresionit. Së fundmi, ai ka publikuar një video që pretendon se është nga Mariupoli, qytet në juglindje të Ukrainës, që Rusia po tenton ta pushtojë më çdo kusht.
Më 16 prill, në videon e publikuar në llogarinë e tij në YouTube, Phillips shihet duke i shkuar pas një veture që mban shenjën “Z” të forcave ruse në Ukrainë. Në një pjesë të videos, britaniku dëgjohet duke folur edhe në rusisht, derisa bashkëbisedon me pasagjeren e tij, që duket se është ruse.
Në këtë video të publikuar, shihet Mariupoli i shkatërruar nga forcat ruse.