“Gërmimet në Prekaz”, Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit në pritje të ekzaminimeve mjeko-ligjore

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se bëhet fjalë për eshtrat e së paku gjashtë personave të zhdukur, “por për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut”

Plagët e familjarëve të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë më 1998/99, mbesin ende të hapura edhe pas kaq shumë vjetësh.

E për zbardhjen e fatit të tyre, shpresë mbesin gërmimet e reja në lokacione që dyshohen për varreza masive.

Gjatë kësaj jave pati aktivitete gërmuese në Prekaz.

Gjatë gërmimeve dhe zhvarrimeve në lokacionin e shënjuar në Prekaz të Poshtëm për tri javë, ekipet mjekoligjore të IML-së dhe EULEX-it kanë arritur të gjejnë dhe zhvarrosin mbetjet skeletore të 6 individëve të cilët i takojnë kohës së luftës së fundit.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se bëhet fjalë për eshtrat e së paku gjashtë personave të zhdukur, “por për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut”.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Siç thotë Gara, lokacioni në Prekaz është adresuar falë angazhimit ndërinstitucional, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, bazuar edhe në rekomandimet e Raportit Analitik të përgatitur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Gara ka theksuar se pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së do të saktësohet numri i viktimave të zhvarrosura dhe identiteti i tyre kështu që hapi i parë siç thotë ai do të jetë pastaj njoftimi i familjeve të personave të idenfifikuar.

“Dhe, kuptohet, pastaj si hap i parë i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucioneve tjera të angazhuara në këtë proces në koordinim me Komisionin , do të jetë njoftimi i familjeve të personave të identifikuar, në përpjekjen e vazhdueshme institucionale të respektimit të të drejtave të familjarëve të personave të zhdukur për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Gara.

Gara ka treguar se sa sfiduese është adresimi i lokacioneve të tilla në mungesë të informacioneve të sakta si rezultat i mungesës së bashkëpunimit nga Serbia.

Ai ka theksuar se ky lokacion është adresuar duke vlerësuar lartë bashkëpunimin me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të dhënave që janë siguruar, përfshirë edhe të dhënat nga arkivat ndërkombëtare për këtë lokacion.

“Lokacioni është vizituar me qëllim të shënjimit të hapësirës së nevojshme për t’u vlerësuar, qysh në fillim të muajit Gusht, meqë në bazë të të dhënave të analizuara pra të shqyrtuara hollësisht , kemi konkluduar që në këtë lokacion vazhdojnë të jenë mbetjet mortore (eshtrat) edhe të disa viktimave të luftës që janë ende në Listën e Personave të Zhdukur. Pra përkundër gërmimeve dhe zhvarrimeve në këtë lokacion nga ekipet mjekoligjore ndërkombëtare, përfshirë Ekipin Gratis Francez gjatë korrikut të vitit 1999 ku së bashku me familjarët kishin zhvarrosur dhe identifikuar me metodë tradicionale diku 23 deri në 25 viktima, e po ashtu edhe ekipet mjekoligjore të UNMIK-ut që kishin zhvarrosur të paktën dy viktima gjatë vitit 2003, megjithatë në Listën e Personave të Zhdukur vazhdonin të ishin të evidentuar si persona të zhdukur edhe të paktën 5 viktima të luftës”, ka vijuar ai.

Gara thotë se lokacioni në fjalë që është afër varrezave në fshatin Prekaz i Poshtëm, ashtu si varrezat e qyteteve e fshatrave tjerë ishte shfrytëzuar nga forcat serbe gjatë luftës për varrosjen e viktimave të luftës në përpjekjen e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit.

“Rrjedhimisht lokacione të tilla mbesin sfiduese, andaj sigurisht që punohet, krahas profesionalizimit dhe përkushtimit të lartë, edhe me kujdesin e shtuar. Në veçanti gërmimet në raste apo lokacione të tilla sfidohen edhe me mungesën e informatave të sakta si rezultat i mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe”, u shpreh ai.

Se sa mund të zgjasë procedura e ekzaminimeve të nevojshme mjekoligjore për identifikim, Gara u shpreh se të gjitha veprimet e nevojshme institucionale pra që janë në kompetencë të institucioneve të Kosovës do të ndërmerren brenda afateve optimale duke trajtuar me prioritetin e duhur.

“Procesi i testimit përmes analizës së ADN-së do të mund të marrë pak kohë, por edhe në këtë drejtim jemi në komunikim të vazhdueshëm me kolegët nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur me seli në Holandë, meqë në laboratorët e tyre dërgohen mostrat nga mbetjet mortore për testim dhe identifikim përmes analizës së ADN-së, sipas marrëveshjes që kemi”.

Ai ka bërë të ditur se janë më shumë se 2700 lokacione brenda territorit të Kosovës të adresuara gjatë këtyre 24 vjetëve të pasluftës, në kuptim të gërmimit vlerësues nga institucionet e Republikës por edhe mekanizmave ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë a procesit të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.

Sfidë sipas Garës mbetet mungesa e bashkëpunimit të institucioneve të Serbisë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gara akuzon Serbinë për mosbashkëpunim dhe mosgatishmëri për të ndriçuar fatin e të të zhdukurve me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka thënë se ndonëse “Deklarata për të Zhdukurit” është miratuar më 2 maj në Bruksel, ka ngecje në implementimin e saj nga pala serbe duke mos u përgjigjur as në kërkesat e institucioneve të Kosovës drejtuar Serbisë për hapje të arkivave e dokumentim të krimeve të luftës.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës më 2020. FOTO: Iva Martinovic, REL

“Sigurisht që sfidë dhe shqetësuese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë dhe në përgjithësi qasje e tyre politizuese kundrejt këtij procesi duke përfshirë edhe mos-bashkëpunimin apo mos-gatishmërinë e institucioneve të Beogradit për të vë në dispozicion të këtij procesi edhe të dhënat dhe informatat tjera nga arkivat e tyre. Deri më tani, siç e kemi bërë të ditur nuk ka ndonjë përgjigje as për kërkesën e datës 1 qershor 2023 të adresuar nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar të Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur për Presidentin e Serbisë, ashtu siç nuk ka përgjigje edhe për një sërë rastesh të adresuara gjatë takimeve mes delegacioneve qoftë në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur apo edhe Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore dhe Ekipit Analitik”, ka vijuar Gara.

Ndryshe, të premten e 24 nëntorit, Policia e Kosovës dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur kanë konfirmuar se janë gjetur mbetje mortore të gjashtë personave në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, që dyshohen se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Sipas njoftimit të Policisë, mbetjet mortore dyshohen se i përkasin trupave të zhdukur gjatë luftës së fundit. Më 9 nëntor janë gjetur skelete të tre trupave, ndërsa gjatë gërmimeve në atë lokacion ditëve në vijim janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë.

May be an image of 4 people

“Më 9 nëntor 2023 janë gjetur skelete të tre trupave. Hulumtimet kanë vazhduar edhe ditëve në vazhdim, kështu me 20, 21 dhe 24 nëntor 2023 janë hasur gjetje edhe të tre personave të tjerë. Pra, gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur dhe më pas janë tërhequr nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore gjithsej trupa (gjetje eshtërore) të gjashtë personave që dyshohet të jenë trupa të zhdukur gjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Hulumtimet në këtë lokacion konsiderohen të mbyllura për institucionet e përfshira në këtë rast, “por puna në koordinim dhe bashkëpunim mes këtyre do të vazhdojë duke trajtuar çdo informacion që do të ofrohet me qëllim të zbardhjes së rasteve tjera”.

Policia ka ftuar gjithë ata që mund të kenë ndonjë informacion për ndonjë varr individual apo varreza të ofrojë të dhëna tek institucionet përkatëse.

Ndryshe, Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua në Bruksel më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe mbi 1 mijë e 600 konsiderohen të zhdukur.

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë – lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika