Gjermania akuzon Rusinë për sulmin e tentuar me dron në aeroportin e Leipzigut

Qeveria gjermane ka deklaruar të martën se vlerëson se Rusia qëndron pas një sulmi të tentuar me dron në aeroportin Leipzig/Halle muajin e kaluar, duke njoftuar një sërë masash kundër Moskës, përfshirë mbylljen e një qendre kulturore ruse në Berlin.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka deklaruar se të dhënat e inteligjencës tregojnë se personat e përfshirë në sulmin e tentuar kanë vepruar në emër të agjencive shtetërore ruse, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

“Të marra së bashku, hetimet policore, modeli i veprave dhe të dhënat e inteligjencës përcaktojnë përgjegjësinë ruse për sulmin e tentuar në aeroportin e Leipzigut”, ka thënë ai.

Në një paraqitje të përbashkët me Dobrindt, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar se Berlini nuk e konsideron incidentin në Leipzig si një rast të izoluar.

“Sipas nesh, ai përshtatet në një model më të gjerë të operacioneve hibride ruse në Evropë”, ka thënë Wadephul.

Si përgjigje ndaj sulmit të tentuar, Gjermania ka njoftuar se do të ndërmarrë një sërë masash, përfshirë mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bonn dhe ndërprerjen e marrëveshjes me qendrën kulturore “Russian House” në Berlin.

Wadephul ka bërë të ditur gjithashtu se Gjermania do të kërkojë brenda Bashkimit Evropian vendosjen e sanksioneve shtesë dhe kufizimeve të udhëtimit për shtetas rusë, si dhe rritjen e presionit ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë.

Pas njoftimit të Berlinit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka deklaruar se Moska do t’i përgjigjet asaj që e cilësoi si një “veprim anti-rus” të Gjermanisë, raportoi agjencia Interfax.

Ajo nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me masat që Rusia mund të ndërmarrë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika