Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar aktakuzën ndaj Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës, në një çështje penale që lidhej me ngjarjet e vitit 2016 në Kuvendin e Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i saj Burim Halili përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se sot kanë pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me të cilin refuzohet aktakuza në tërësi ndaj Haxhiut.
Sipas Halilit, me këtë vendim Haxhiu nuk mban më asnjë barrë penale për akuzat që ishin ngritur ndaj saj dhe që, sipas tij, e kishin ngarkuar padrejtësisht për rreth një dekadë.
“Znj. Haxhiu nga sot nuk mban më asnjë barrë penale për akuza që janë ngritur kundër saj, të cilat e kanë ngarkuar padrejtësisht për një periudhë rreth një dekadëshe”, ka shkruar Halili.
Ai shtoi se vendimi përbën një hap përpara si për Haxhiun ashtu edhe për interesin publik, duke pasur parasysh rolin e saj si përfaqësuese e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.
Sipas aktgjykimit të siguruar, gjykata ka vendosur refuzimin e aktakuzës pasi ka konstatuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, lidhur me akuzën për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në fund të reagimit të tij, avokati Halili i ka uruar Haxhiut për vendimin e gjykatës.
“Urime Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu!”, ka shkruar ai.
