Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në raport me komunitetin serb cenojnë sovranitetin e shtetit dhe lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, elementet e asaj marrëveshjeje, të cilat ai i cilësoi si “autonomi” apo vetmenaxhim, tashmë po zbatohen në terren përmes mekanizmave të ndryshëm, përfshirë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Krejt kjo që po bëhet është implementimi i autonomisë që është bërë në Ohër. Sepse të gjitha pjesët e autonomisë që janë pranuar në Ohër, vetmenaxhimit që është quajtur atje, janë tashmë në terren. E ke draftin e Asociacionit që është sjell prej BE-së, që ka thënë nuk guxoni me ndërru. Dhe ai draft thotë se do të ketë një arbitrazh në Bruksel që kur rroken Asociacioni me Qeverinë e Kosovës nuk shkojnë në gjykatë por në Bruksel”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, ai ka kritikuar edhe përdorimin e termit “vetmenaxhim”, duke pretenduar se ai po përdoret si zëvendësim për termin Asociacion.
“Pjesa e dytë janë dokumentet speciale, pasaportat që i ka njohur BE –ja me liberalizim të vizave për serbët në veri. Të tretin e ke Elektroserverin, e ke rrymën më lirë se këtu. E ke universitetin paralel që kanë më punuar këta që po iu japin leje, e ke shkolla dhe spitalet paralele, krejt pjesët tashmë janë në terren. Këtu tash vetëm duhet me kombinu edhe me iu vnu një kopurtunë juridike që me u themelu autonomia, ajo është Marrëveshja e Ohrit vetmenaximit, dhe Kurti e ka futur fjalën vetmenaxhim vetëm për me hek fjalën Asociacion”, ka deklaruar tutje ai.
Këto deklarata vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka rënë dakord të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, si dhe të njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe, në përpjekje për të lehtësuar zbatimin e ligjeve në fuqi.