Hapja e bibliotekës së parë shqipe në Manastir: Një hap historik drejt shpëtimit të shqiptarëve

Një nismë e vlefshme ka nisur nga një studente, nga e cila, qyteti i Manastirit do të bëhet me bibliotekën e parë në gjuhën shqipe. Ajo për Dukagjinin ka treguar se si e ka nisur gjithë këtë iniciativë, duke bërë edhe një kërkesë urgjente për Kosovën dhe Shqipërinë

Kongresi i Manastirit (Muzeu i Alfabetit Shqip), ku pritet të hapet biblioteka e parë shqipe

Në një botë pa biblioteka, do të ishte e vështirë për ta avancuar kërkimin dhe njohuritë njerëzore, ose për t’i ruajtur njohuritë dhe trashëgiminë kumulative të një grupi etnik për brezat e ardhshëm.

Kjo më së miri kuptohet kur në një vend ku është marrë vendimi për alfabetin shqip, të cilin ne e përdorim, dhe është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht se nga vijnë, nuk është më prioritet për brezat e vjetër ndaj brezave të rinj shqiptarë.

Më 22 nëntor 1908 në Manastir kishte përfunduar mbledhja e pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit, të cilët njëzëri pranuan vendimin e Komisionit të Alfabetit, i cili vendosi një alfabet të njësuar të shqipes. Për këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporën shqiptare si “Dita e Alfabetit”.

Dita e Alfabetit Shqip festohet vazhdimisht si festë publike dhe është ditë jopune për qytetarët e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Dhe, meqenëse në një vend ku minoritet janë shqiptarët, gjuha është gjithashtu ndryshe nga shumica, dhe gjuha shqipe pa u trashëguar nga brezat e rinj dalëngadalë mund të mjegullohet. E për të mos ndodhur kjo, studentja Emira Selimi nga qyteti i Shkupit po mundohet ta bëjë e vetme.

Kongresi i Manastirit – Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Rrok Berisha, Dhmitër Frashëri

23-vjeçarja me iniciativën e saj synon të shpëtojë shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip, duke përballuar sfida me shqiptarët mbrapa saj të hapë bibliotekën e parë shqipe në atë vend.

Ajo në një intervistë për Dukagjinin ka rrëfyer për sfidat, me të cilat, përballen shqiptarët në Manastir, duke thënë se në statistikat e regjistrimit të popullsisë, shqiptarët ishin 5 për qind, ndërsa vetëm 2 për qind prej tyre janë shqiptarë që kanë mbiemra të shqiptuar.

Sipas saj, kjo është vetëm një nga propagandat e shumta që maqedonasit bëjnë për asimilimin e shqiptarëve në Manastir.

“Ideja lindi kur unë fillova të hulumtoj për shqiptarët ortodoks atje, konkretisht familjen Qiriazi. Më pas kisha kuriozitet për shqiptarët atje që kanë mbetur, dhe kishim informacion se aty kanë mbetur 5 për qind shqiptarë, por unë zbulova propagandën maqedonase atje, derisa prej tyre vetëm 2 për qind janë shqiptarët që kanë mbiemrat e shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve atje i kanë mbiemrat e sllavizuar, nënkupton në Manastir mund të jesh gjithçka vetëm shqiptar jo”, është shprehur ajo.

Përveç presioneve të vazhdueshme që kanë bërë që në Manastir të ketë një shkollë të mesme shqipe, e cila sipas saj, nuk është realizuar asnjëherë. Ajo ka treguar sesi shqiptarët atje flasin shqip me shumë pengesa, kjo si pasojë e mungesës së literaturës shqipe.

Pamje nga disa prej librave shqip që do të jenë pjesë e bibliotekës në Manastir

Një problem tjetër që Emira përmendi është se atje nuk kanë shkollë të mesme shqipe, dhe, sipas saj, fëmijët shqiptarë shkojnë dhe regjistrohen në shkollat maqedonase, dhe se shkolla e vetme fillore atje ku mësonin shqiptarët tash po boshatiset nga shqiptarët.

“Shqiptarët kishin vetëm një shkollë fillore ku mësonin ‘Goce Dellçev’, tani edhe ajo po boshatiset nga shqiptarët. Fëmijët tani regjistrohen në maqedonisht. Kjo është situatë alarmante dhe nuk kisha hapësirë të mendohem shumë, dhe menjëherë fillova iniciativën për bibliotekën shqiptare, duke kërkuar ndihmë nga shqiptarët mbarë trojeve tona”, ka thënë 23-vjeçarja.

Nga ana e saj, alternativa e vetme ishte nisma për hapjen e menjëhershme të bibliotekës, duke kërkuar ndihmë nga shqiptarët publikisht kudo që ndodhen.

Pamje e disa prej librave shqip që do të jenë pjesë e bibliotekës së Manastirit dhe të rinjve vullnetarë që i dhurojnë.

Kësaj nisme tashmë i janë bashkuar shumë donatorë, dhe numri i librave ka vërshuar duke u shtuar çdo ditë më shumë sesa ishte.

“Nismën e kam menduar që nga viti 2021 ku unë fillova të hulumtoj atje. Kam menduar gjithçka me plan dhe kujdes, kjo tashmë po bëhet realitet. Ëndrra ime është ta rikthejmë Manastirin se është i joni”, është shprehur Emira.

Sipas saj, ndryshimi i parë me hapjen e bibliotekës shqipe është që shqiptarët do të mbrohen nga asimilimi dhe do të lexojnë, do të kenë literaturë shqip dhe nuk do ta humbin gjuhën shqipe.

Nisma është tashmë në fazën thuajse përfundimtare, kështu ka bërë të ditur ajo, duke thënë se ka mbetur vetëm edhe renovimi i bibliotekës, pasi aty në shtëpinë ku u themelua alfabeti ynë shiteshin pllaka më herët, por tani ajo pjesë do të mbulohet me libra shqip.

Pamje nga rinovimi i Muzeut të Alfabetit Shqip, ku edhe do të hapet biblioteka shqipe

Sipas arkitektit që po merret me renovimin e bibliotekës, është planifikuar që punimet të përfundojnë brenda muajit prill.

“Ëndrra ime është që shqiptarët ta kthejnë gjuhën shqipe pasi ata po e humbin. Shqiptarët mos kenë frikë. Shqiptarët të mësojnë në gjuhën shqipe. Manastirin ta rikthejmë”, ka thënë ajo.

Të gjithë ato që duan të ndihmojnë mund të dhurojnë qoftë edhe vetëm një libër. Qyteti i Alfabetit ka nevojë për ndihmë më shumë se kurrë.

Ajo nuk i ka mohuar tentativat për ta penguar hapjen e bibliotekës, por, sipas saj, po dështojnë, sepse pas saj janë të gjithë shqiptarët.

Por, ajo ka theksuar se më e keqja është se disa udhëheqës politikë e kanë tradhtuar qytetin e Manastirit dhe e kanë shitur për pazare politike.

Emira Selimi, 22-vjeçarja që nisi nismën për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir.

“Nuk hapen kurrë shkollë të mesme shqipe në Manastir, tani mesa duket po ju pengon biblioteka shqiptare në qytetin e Alfabetit”, ka shtuar Emira.

Ndërkaq, ajo ka kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë që urgjentisht të marrin përsipër kujdesin për muzeun e alfabetit.

“Pronari i oborrit te muzeut të alfabetit është një serb që sot jeton në Beograd me emrin Jovan Siziç”. Dhe që sipas saj, ky është një provokim për shqiptarët, duke thënë se ky sekret i zi është mbajtur në heshtje prej vitesh, “Ministria e Kulturës në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duhet të marrë masa urgjente”.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika