“Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”
Për së gjalli e takoi të enjten ndërsa në varrim nuk erdhi. Në varrimin e Haxhi Tha֛çit mungoi djali që nuk e pati afër për një periudhë.
Një kohë për shkak të luftës për liri, e në momentet e fundit për shkak se Gjykata Speciale nuk e lejoi të dalë nga qelia e paraburgimit.
Vendin e ish-presidentit, si i Zoti e shtëpisë edhe në raste të vdekjeve, siç e do tradita, e zuri familja e ngushtë, njëri ndër ta, djali, Endriti.
Varrimin e gjyshit pa babain nuk e kishte të lehtë. Me lot në sy, bashkë me shumë miq të babait, të luftës e të politikës ia dhanë lamtumirën e fundit gjyshit.
Haxhi Thaçi vdiq dy ditë pasi e takoi Hashimin në spital. Mërzia për të ia kishte rënduar supet e moshës e së fundmi edhe sëmundjes.
“Një sëmundje e pashërueshme për njerëz të fortë, krenar dhe me dinjitet. Siç thoshte shpesh gjyshi, me vdekë pa u korit. Gjysh as sot nuk jemi korit, fatkeqësisht babin nuk e lejuan të japë lamtumiren e fundit bashkë me ne sot, nuk e lejuan të ja gjuajnë një grusht të dheut të Drenicës mbi varrë, por në vend të babit, sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina. I madh dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi ynë për ty gjysh. Për ne gjyshi ishte kështjellë e pathyeshme e urtësisë dhe dashurisë”, ka deklaruar Endrit Thaçi.
Edhe në mbledhjen komemorative familja Thaçi nuk ishte e vetmuar.
“Haxhi Thaçi nuk rriti vetëm një djalë, ai formësoi një udhëheqës, një çlirimtar”, ka theksuar Memli Krasniqi, kreu i PDK-së.
Pos pothuajse të gjitha figurave kryesore të PDK-së, në mbledhjen komemorative dhe në homazhe erdhën mijëra qytetarë nga të gjitha viset ku flitet shqip dhe jo vetëm. Përfaqësues politikë, figura të rëndësishme të UÇK-së, përfaqësues nga Shqipëria duke filluar nga ambasadori e deri te bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë.
Edhe gjatë tri orëve homazhe, ngushëllimet e mbështetja nuk mungoi.
Mërzia dukej dukshëm sidomos tek nëna e ish-Presidentit, Hyra.
Thaçi mërzinë e ka ndarë me shokët në Hagë, e me familjen e tij ka ardhur djali i shokut më të ngushtë, Klestor Veseli.
“Burrë fisnik e i urtë, ofroi strehë kur ushtarëve i duhej më së shumti e kurrë nuk e ndau babin (Kadri Veselin) nga bijtë e tij”
Kjo ishte porosia e tij në librin e kujtimeve për Haxhi Thaçin.
Në këtë libër, në homazhe e në varrim munguan vetëm përfaqësuesit e Qeverisë. Nga orët e mëngjesit e në mbrëmje asnjë zyrtar qeveritar apo nga partia në pushtet nuk është parë në Skenderaj.
Për dallim me ta nga Presidenca, telegram ngushëllimi dhe kurora lulesh kanë sjellë dy këshilltarët, Sefer Isufi e Ismet Krasniqi.
Për të gjithë atë që erdhën fizikisht e qëndruan pranë familjes, Idriz Thaçi, vëllai ish-Presidentit, ka shprehur falënderime e mirënjohje.