Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe për masakrën e Rezallës, për të kujtuar viktimat e vrara në luftë.
Haxhiu tha se regjimi serb tentoi që të fshinte krimet duke varrosur shqiptarë në varre masive në Serbi dhe se kurrë nuk do të harrohen.
“Më 5 prill të vitit 1999, në Rezallë të Skenderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë pra, më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorrën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë. Trupat e tyre i rrëmbyen dhe me trupat e tyre hapën varre masive në Serbi. Qëllimisht ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal. Por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë. Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive. Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi që të ketë drejtësi edhe për masakrën e Rezallës por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombi”, tha Haxhiu.
Kujtojmë se Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nis punën këtë diel teksa dje pranoi detyrën nga ish-presidentja, Vjosa Osmani.