Hovenier për planin e BE-së: Nuk ka marrëveshje më të mirë

"Më duhet të jem i qartë, ShBA-ja vlerëson se në këtë moment nuk ka një marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara", kështu ka deklaruar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier për propozimin evropian

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.

Hovenier ka thënë se gjasat për njohje reciproke tani “nuk janë shumë të mëdha”, për shkak të qëndrimit të Serbisë, por kujtoi se plani i BE-së është i përkohshëm.

Ai këto deklarata i ka bërë në një takim me gazetarë, të mërkurën në Prishtinë.

“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier, raporton REL.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kanë pranuar në parim planin e BE-së në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Hovenier tha se fokusi kryesor i tyre tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit – për ç’gjë Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai tha se, këtë herë, është ndryshe sa i përket zbatimit, për shkak të, siç u shpreh, nivelit të angazhimit politik, mbështetjes dhe seriozitetit.

“Nuk po them se procesi për Marrëveshjen e Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] nuk ka qenë serioz dhe nuk ka pasur mbështetje, por këtë herë duket pak më ndryshe. A mund t’ju garantoj se zbatimi do të ndodhë saktësisht ashtu siç arrihet pajtimi? Mund të garantoj se komuniteti ndërkombëtar do ta kërkojë këtë dhe kemi menduar me shumë kujdes se çfarë mjetesh kemi për të stimuluar zbatimin e plotë”, tha Hovenier.

Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, tha ai, SHBA-ja “do t’i ripërtërijë përpjekjet” për ta ndihmuar vendin që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të garantojë se aspiratat që ka populli i Kosovës do të përmbushen menjëherë, për faktin se, siç u shpreh, NATO-ja merr vendime me konsensus.

Hovenier tha se SHBA-ja do të kërkojë edhe nga BE-ja që të angazhohet për të siguruar zbatimin e duhur të planit.

I pyetur nëse ka ndonjë ndryshim në pozicionin e SHBA-së sa i përket marrëveshjes së detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër dhe marrëveshjes së përkohshme me njohje eventuale, Hovenier tha se nuk beson se ka ndonjë ndryshim, porse “njohje të realitetit”.

“Pozicioni i SHBA-së ka qenë dhe do të jetë i qartë. Nuk e shohim të ndryshojë. Por, duhet ta kemi parasysh momentin në të cilin jemi. Mendoj se realiteti – për arsye të ndryshme, por kryesisht për shkak të vendimit të marrë nga udhëheqja në Serbi – është se gjasat për arritjen e njohjes reciproke tani, nuk janë shumë të mëdha”, tha Hovenier.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte, sipas tij, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.

“Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqendrohet në njohje reciproke”, tha Hovenier.

Ai kujtoi se plani i BE-së gëzon mbështetje të gjerë nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Të gjitha vendet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë me Kosovën, besojnë se është një gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të parë avancimin e tij dhe përfundimin e suksesshëm të negociatave”, tha Hovenier.

Marrë parasysh mbështetjen perëndimore, ai tha se është e rëndësishme që edhe opozita në Kosovë, e cila ka shprehur rezervat e saj në lidhje me planin e BE-së, ta përkrahë atë.

“Pres që ato [partitë opozitare] t’i vënë interesat kombëtare të Kosovës përpara çdo arsyeje të brendshme politike”, tha ambasadori amerikan.

“Ka hapësirë për të diskutuar për Asociacionin”

I pyetur nëse ka hapësirë për të rinegociuar ose për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të kushteve të Kurtit, Hovenier tha se “është e vështirë të rinegociosh diçka që ende nuk është negociuar vërtet”.

Kurti, në fillim të shkurtit, doli me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

“Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën që të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015… Por, brenda tij ka hapësirë të mjaftueshme për [të diskutuar] për atë që do të jetë kjo gjë”, tha Hovenier.

“Çfarëdo që të dalë nga ky proces, do të ketë nevojë për një lloj asociacioni dhe do të duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe”, theksoi ai.

Hovenier tha se nuk pret që në Ohër të ketë negociata të plota që do të përcaktonin skicën, formën dhe funksionet e Asociacionit, por tha se pret të ketë një mirëkuptim për ta çuar çështjen përpara.

Ai tha se nëse në Ohër ka marrëveshje, ajo mund të çojë edhe në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

Komuniteti serb në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq ka dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa të Serbisë në targa të Kosovës.

“Do ta mirëprisnim pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje dhe do ta mirëprisnim mbajtjen e tyre në rrethana sigurie dhe dinjiteti. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në të vërtetë… por, kjo mbetet shpresa jonë”, tha Hovenier.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, për të diskutuar zbatimin e planit 11-pikësh të BE-së.

Dy udhëheqësit u dakorduan muajin e kaluar se përmbajtja e tij nuk ka nevojë të diskutohet më tutje.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika