Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë (ShBA), Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Po vazhdojmë të kemi diskutime me Qeverinë, është mirë të shohim depërshkallëzim të mëtejmë të situatës në veri. Së dyti, duam të shohim përpjekje nga të dyja palët, Kosovës dhe Serbisë, për të arritur zbatim të plotë të marrëveshjes së arritur për të ecur përpara integrimit”, ka thënë Hovenier.
Ambasadori Hovenier pas pjesëmarrjes në ceremoninë e dhënies së 250 kamerave të trupit donacion Policisë së Kosovës, ka folur edhe për rastin e televizionit Klan Kosova, ku sipas tij, kjo çështje nuk është vetëm biznesore, por edhe për lirinë e mediave.
Hovenier ka folur edhe për takimin e Listës Serbe me të dërguarin e posaçëm të Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai ka theksuar se ShBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje dhe se nuk duhet të vihet në pyetje se Kosova është shtet sovran dhe se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë.
“Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka vijuar ai.
Ndryshe, tensionet në Kosovë janë rritur pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.
Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.
Policia pajiset me 250 kamera të trupit dhe 113 të instaluara në vetura