I dyshuari për vrasjen që ndodhi gjatë ditës së sotme në Gjakovë është vetëdorëzuar në polici.
Lajmin e ka konfirmuar për Dukagjinin drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari Nexhdet Zymberaj dyshohet se gjatë ditës së sotme ka privuar nga jeta Rasim Binakaj.
Graishta ka bërë të ditur se i dyshuari është dorëzuar në polici në orët e pasditës së sotme.
“Pas ngjarjes së ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’, ku kishte ndodhur një konflikt si pasojë e të cilit një person mbeti i plagosur dhe një tjetër humbi jetën, i dyshuari para pak çastesh është dorëzuar në Polici në Gjakovë. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm bazuar në procedurat policore”, ka thënë ai.
Rrethanat e plota të rastit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e motivit dhe të gjitha detajeve që lidhen me këtë ngjarje.