Intervistë me kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizi – Cilat ishin sfidat e kësaj komune gjatë vitit 2022?

"Unë kam qenë racional kur kam premtuar, por këto premtime që i kam bërë, sado të vogla që janë, jam duke i realizuar çdo ditë", kështu është shprehur kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi në një intervistë për Portalin Dukagjini

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi

2022 si një vit i sfidave për gjithë vendin nuk është që ka kaluar pa ndikim edhe në nivelin e pushtetit lokal në Kosovë.

Edhe komuna e Vushtrrisë nuk ka mbetur në hije nga sfidat si pasojë e krizës ekonomike dhe energjetike.

Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, në një intervistë për Portalin Dukagjini vitin 2022 e ka cilësuar sfidues për shkak të disa vështirësive që ka hasur me kontratat e operatorëve ekonomikë, po ashtu edhe për shkak të vërshimeve të fundit si pasojë e reshjeve të dendura dhe për shkak të rritjes së çmimeve.

I pyetur se sa ka arritur të realizojë premtimet që i ka bërë ndaj qytetarëve, Idrizi ka vlerësuar se ka përmbushur të gjitha ato që janë adresuar nga qytetarët.

Për kryetarin e vushtrriasve, gjatë mandatit të tij prioritet ka qenë rinia dhe përgatitja e tyre për tregun e punës përmes arsimit profesional.

Qendra e qytetit të Vushtrrisë

Përveç rinisë, Idrizi si prioritet në mandatin e tij ka vendosur edhe fushën e shëndetësisë dhe gjithçka që ka të bëjë me realizimin e premtimeve racionale që siç thotë ai i ka bërë në drejtim të qytetarëve.

Se sa do të adresojë kërkesat e kësaj komune buxheti i vitit 2023 i miratuar nga Qeveria e Kosovës, Idrizi ka theksuar se për disa projekte që kërkojnë më shumë investime, nuk i mjafton buxheti komunal.

“Janë 23 milionë në përgjithësi sa i përket buxhetit që na është ndarë nga qeveria për kokë banori, të cilat janë të ndara në bazë të politikave zhvillimore të komunës, por ka projekte që kërkojnë më shumë investime dhe nuk mjafton buxheti komunal, por që duhet të jetë në koordinim me ministritë e linjës edhe ku bëhet investimi”, ka thënë Idrizi.

Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë

Dukagjini: Sa për qind e premtimeve që i keni pasur për këtë vit janë realizuar dhe cilat kanë mbetur ende pa u realizuar?

Idrizi: Për të mos qenë egoist, unë vlerësoj që i kemi përmbushur të gjitha premtimet, target i kam pasur rininë, për përgatitjen e tyre në tregun e punës përmes arsimit profesional. Kemi ndarë 400 bursa për shkathtësi të buta, kurse për mësim të gjuhëve të huaja, profile për teknologji informimi i kemi subvencionuar 10 profile profesionale për arsim të rritur, tri profile të tjera për gra që lidhen me teknologjinë ushqimore, mandej 70 bursa për studime bachelor si dhe i kemi subvencionuar 100 mijë euro për Start-up, kjo ka qenë pika qendrore.

Po ashtu, kemi premtuar largimin e kabllove nga sheshi, jemi në fazën përfundimtare, kemi premtuar shtrirje të rrjetit të ujësjellësit, na ka mbetur edhe pak punë për të furnizuar me ujë të pijshëm fshatrat e pjesës lindore. Po ashtu, kemi vendosur edhe tabela orientuese nëpër fshatra, i kemi premtuar edhe disa projekte e investime kapitale.

“Unë kam qenë racional kur kam premtuar, por këto premtime që i kam bërë, sado të vogla që janë, jam duke i realizuar çdo ditë”.

Dukagjini: Cili ishte prioriteti juaj këtë vit dhe cila do të jeta puna e parë që do të realizohet në vitin 2023?

Idrizi: Mbështetja e rinisë nuk ka qenë prioritet vetëm gjatë vitit 2022, por do të jetë gjatë gjithë mandatit tim. Ndërsa sa i përket investimeve kapitale e kemi miratuar buxhetin për vitin 2023 dhe i kemi disa investime kapitale, do të fillojmë me rregullimin e sheshit dhe parkingut nëntokësor, ndërtim të rrugëve e ujërave të zeza, brenda dy viteve do të përmbyllim ciklin e ujërave të zeza e ujësjellësit.

Dukagjini: Buxheti i vitit 2023 i miratuar nga qeveria a ka qenë në konsultim paraprak me komunën e Vushtrrisë?

Idrizi: Sa i përket ndarjes së buxhetit është formula si ndahet për kokë banori, i kemi 23 milionë buxhet në përgjithësi, mbi 7 milionë euro për investime kapitale, i kemi orientuar në politikat tona zhvillimore, shëndetësi, infrastrukturë, rini e mjedis, e të tjera.

Ministritë e linjës kanë buxhetin e vet, janë disa projekte që kërkojnë më shumë investime dhe nuk mjafton buxheti komunal.

Dukagjini: Si ka qenë raporti juaj me partitë që nuk janë në qeverisje?

Idrizi: Raportet i kam të shkëlqyeshme, e kam pasur si parim konsensusin gjatë qeverisjes sime, kemi pasur konsultim me gjithë shoqërinë civile dhe partitë politike, buxheti i vitit 2023 është miratuar me votë unanime nga të gjithë pa asnjë kundër, kjo tregon për raportet që kemi pasur me partitë politike në asamblenë komunale.

Dukagjini: Cilat janë planet në fushën e shëndetësisë?

Idrizi: Për fushën e shëndetësisë, sfidë kanë qenë analizat e gjakut, sepse një numër kanë munguar, pasi aparatet që i bëjnë analizat duhet të korrespondojnë me kompanitë që i bëjnë dërgesat, ka qenë sfidë edhe problemi i rëntgenit të dhëmbëve por nuk kemi ankesa nga qytetarët për shërbime esenciale.

Ka ankesa që janë bërë për barnat esenciale, por për ato i furnizon Ministria e Shëndetësisë e jo komuna.

Dukagjini: Sa keni mbështetje nga Qeveria Kurti si komunë që e drejton PDK-ja?

Idrizi: Nuk do të bëja një prerje fikse dhe as nuk do të doja të besoja që një kryeministër mundet me qenë i njëanshëm, të avancojë një komunë që është e një partie të tij.

Gjatë këtij viti kam pasur raporte të mira me ministrat e kësaj qeverie, si me atë të Infrastrukturës për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, ministrin e Zhvillimit Rajonal për rregullimin e shëtitoreve, ministrin e Bujqësisë për subvencionim për shtrirje të rrjetit të ujitjes së tokave që janë në sistemit e ujitjes, po ashtu edhe me atë të Kulturës pasi Muzeu i Qytetit qe 10 vite e më tepër është pa pranim teknik dhe nuk mundemi ta shfrytëzojmë. Po ashtu, edhe objektin e ish-gjykatës kemi kërkuar ta bëjnë restaurimin, pasi kanë vendosur ta fusin në mbrojtje të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Ndër të tjera, Idrizi ka treguar pse Komuna e Vushtrrisë nuk ka bërë përgatitje për festat e fundvitit.

Ai ka thënë se kanë zbatuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që për shkak të krizës ekonomike dhe energjetike ka kërkuar nga kryetarët e komunave të mos bëhet dekorimi i qytetit.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika