Intervistë me Mimoza Hasani-Pllana, flet për poezitë dhe kategoritë e tyre

Autorja Mimoza Hasani-Pllana, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka rrëfyer motivin e saj për të shkruar, dhe ka treguar më gjerësisht për temën e trajtuar në librin e saj të fundit, në të cilin prezantohet poezia bashkëkohore e Kosovës, e ndarë në tri kontekste

Mimoza Hasani-Pllana, autore





“Shtegtimi i shqipes në Evropë”, “Komunikimi ndërkulturor” dhe “Poezia e Kosovës në tri kontekste”, janë disa nga librat e fundit të autores, Mimoza Hasani-Pllana.

Talentin për të shkruar e kishte zbuluar gjatë punës si gazetare, dhe dëshira për të shënuar gjërat që shihte i krijonin asaj përjetime të veçanta e kishte dërguar në gazetari, ku kishte filluar të shkruajë për lexuesit apo shikuesit informacione nga një ngjarje, me fjalë që sipas saj, prezantonin fakte.

“Kjo mënyrë të shkruari nuk më solli kënaqësinë që kërkoja. Prandaj, në gazetari kam preferuar të shkruaj tekste ‘me mjete letrare’, pasi kjo ishte një formë shkrimi që lidhte gazetarinë me letërsinë. Kjo tregon se zhanri im i preferuar në gazetari ishte reportazhi. Reportazhi, si gjini publicistike, është më afër letërsisë, duke filluar nga tema që nuk vendos kufij, por është e hapur, pastaj gjuha që lejon përdorimin e figurave letrare dhe përfshirja emocionale e autorit. Pra, ndryshe nga zhanret e tjera, autori brenda zhanrit të reportazhit mund të jetë subjektiv”.

“Kështu, shkrimet e mia kontribuan në profesionin e gazetares dhe prezantueses televizive për disa vite. Produktet të kësaj forme shkrimi, janë librat ‘Shtegtimi i shqipes në Evropë’ dhe ‘Komunikimi ndërkulturor’. Kjo është mënyra e parë e lidhjes së shkrimit me profesionin”, ka treguar autorja Mimoza Hasani-Pllana, për RTV Dukagjini.

Shtegtimi i shqipes në Evropë

Kjo nuk është mënyra e vetme në të cilën shkruan ajo, pasi ka shkruar dhe tekste të cilat janë kurrikulare, që përdoren nga shkollat në Kosovë dhe një ndër veprat e saj është edhe “Poezia e Kosovës në tri kontekste”.

Mënyra e dytë është hartimi i materialeve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Duke qenë për disa vite pjesë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, je e lidhur me hartimin e politikave dhe programeve arsimore. Në këtë fushë, në bashkautorësi kemi përgatitur librat për programin e kurrikulës me zgjedhje. Ndërsa, libri ‘Poezia e Kosovës në tri kontekste’, sigurisht që ka ndikuar në ngritjen profesionale në fushën e studimeve letrare dhe të mësimdhënies”, është shprehur ajo.

Po ashtu, ajo ka folur edhe për temën e trajtuar në librin e saj të fundit, ku prezantohet poezia bashkëkohore e Kosovës. Libri i saj, është i ndarë në disa cikle si: Poezia e Kosovës; Poezia e emigracionit 109;  Poezia shqipe në gjuhët europiane dhe Rezyme në gjuhën angleze dhe në gjuhën bullgare.

“Kërkimi mbi poezinë bashkëkohore shqyrton veprën poetike gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, të njohur si njëra nga dekadat më produktive për poezinë e Kosovës. Dhjetëvjetëshi i fundit i shekullit të kaluar shënon një kthesë në letërsinë shqipe në Kosovë, e cila përveçse e pasuron shekullin e poezisë me fenomene, autorë e autore të reja, e pasuron edhe me tipare të veçanta për nga shumëllojshmëria e vargut, tingëllima, simbolizimi, dendësia kuptimore dhe imazhet përshkruese”.

Sipas saj, këto diferencime kanë tërhequr vëmendjen e saj, për të filluar kërkimet dhe leximet e veçanta të një pjese të poezisë shqipe të krijuar në vitet 1990-1999 në Kosovë, në emigracion dhe për poezinë e kësaj kohe që ka tërhequr vëmendjen e përkthyesit evropian, e cila në përgjithësi manifestohet si një simptomë që kërkon trajtim.

Poezia e Kosovës në tri kontekste (1990-1999)

Autorja Hasani-Pllana ka thënë se poezia e këtyre viteve, si zhanri letrar më i zhvilluar i dekadës, bëhet edhe produkt që kontribuoi në krijimin e kujtesës kolektive, si dëshmi e një mënyre të jetesës, përshkruar me ngarkesa psikologjike, të cilat ajo ka thënë se bëjnë dallimin edhe në planin ideologjik, tematik dhe stilistik.

“Në këtë studim shoh se breza poetësh/poetesh, të dëshmuar e të rinj, diku më shumë e diku më pak, bëjnë të dukshme se secili prej tyre, në një mënyrë e shndërron poezinë në dëshmi të kohës, politike, kulturore, historike dhe sociale, ashtu edhe siç teorikisht përkufizohet poezia, si tekst që transmeton dhe komunikon një eksperiencë karakteristike të ndarë në shumë pjesë të mendimit, të cilat përdoren si pjesë të kohës në të cilën jetuan poetët (jetojmë aktualisht), dhe si e tillë poezia (1990-1999) mund të përkufizohet bashkëkohore, derisa poetizon kohën aktuale, epokën e cila përkufizohet nga dëshmia e ndryshimeve historike në mënyrën se si e shohim, mendojmë dhe shkruajmë”.

Autorja Hasani-Pllana për poezinë bashkëkohore në rrafshin teorik, ka thënë se bazohet në rrafshin teorik, ndërsa studimi i veprës poetike bazohet në kornizat ekzistuese teorike.

Sipas saj, fakti se letërsia nuk synon të arrijë të vërtetën shkencore, por e vërteta letrare i nënshtrohet të vërtetës artistike, dhe punimi i saj në librin botues është produkt i metodave të kombinuara, fenomenologjike, strukturale, historike-letrare, krahasuese, psikanalitike dhe metoda e kritikës feministe.

Ajo ka diskutuar edhe për librat e saj të parafundit, “Shtegtimi i shqipes në Evropë” dhe “Komunikimi ndërkulturor”, të cilat për herë të parë sjellin për lexuesit përvojat e përkthyesve të letërsisë shqipe në gjuhët evropiane.

“Intervistat me përkthyes letrarë nisën në vitin 2018, gjatë një studimi (si detyrë e studimeve doktorale në Universitetin e Sofjes, Shën Klementi i Ohrit), lidhur me njohjen aktuale të letërsisë dhe gjuhës shqipe në Evropë, si dhe lidhjet ndërmjet kulturave ballkanike, evropiane, bazuar në kontekstet albanologjik, filologjik e antropologjik”.

Mimoza Hasani Pllana (Foto: Norik Uka)

Për ta kuptuar perceptimin e lexuesit dhe studiuesit evropian, për gjuhën dhe letërsinë shqipe, fillimisht ajo ka thënë se është bërë përpjekje që t’i vëzhgojnë më nga afër kahjet e përkthimit, studimeve kushtuar kësaj pjese të Evropës.

“Intervistat që realizuam, me disa përkthyes, na ofruan të dhëna të vlefshme dhe na bënë të kuptojmë shumë më tepër se gjuha dhe letërsia shqipe sot mësohet, zhvillohet, lexohet dhe pëlqehet nga lexuesi i huaj, thuajse paralel me gjuhët dhe letërsitë e vendeve të tjera evropiane. Në të shumtën e rasteve, perceptohet si një letërsi e krijuar në një tablo të gjerë dhe me shenja letrare të rrokshme”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se vëzhgimi për të kuptuar perceptimin e studiuesit evropian është ndarë në dy grupe: albanologji dhe filologji. Sipas saj, këto dy degë na lidhën organikisht me antropologjinë dhe historinë si dy fusha që në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, lidhen me njohjen e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Evropë.

“Për të përfituar rezultatet e pritura, rreth interesimit tonë, ndoqëm punën e disa studiuesve. Kjo perspektivë, tejet e gjerë, gjuhën dhe letërsinë shqipe, e radhit në mesin e letërsive kombëtare intriguese, për studimin e të cilave kërkohen aftësi të veçanta shkencore dhe njohuri të thella sociale, që shpesh herë arrijnë të befasojnë të huajt, për organizimin dhe zhvillimin që ka”.

Autorja në fjalë, për punën si mësimdhënëse në Universitete, e ka quajtur shumë të rëndësishme.

Komunikimi ndërkulturor

Njashtu edhe për komunikimin me studentët, ka thënë se “mësimdhënësit duhet t’i bëjnë studentët të mendojnë. Komunikimi i ndihmon ata të mendojnë dhe të zhvillojnë të menduarit e tyre kritik. Mendimi kritik është çelësi i reformave arsimore”.

Ndërkaq, mesazhi për gratë kosovare që duan të kenë sukses në karrierën e tyre, Hasani-Pllana, ka thënë se gratë që duan të krijojnë karrierë, familje dhe të jenë aktive në jetën shoqërore e kulturore, duhet të “zgjohen herët nga gjumi”, të vendosin qëllimet e tyre dhe ta drejtojnë jetën me duart e veta, në bashkëpunim me familjen dhe miqtë. Gjithashtu, “duke mos bërë kompromise të dhimbshme për asnjë lloj shpërblimi apo suksesi”.





Shija e redaktorit

Ermal Panduri tregon se si filloi emisioni “Debat Plus”

Moderatori i emisionit më të shikuar në vend "Debat Plus", Ermal Panduri, ka treguar se ky është emisioni më i shtrenjtë në Kosovë. "Është shumë...

15 operimet më të ndërlikuara në shëndetësi u kryen ditën...

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, gjatë ditës së djeshme (12 mars), janë kryer 15 operacionet më të ndërlikuara në shëndetësi. Këtë e ka...

Gërvalla viziton Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO

Në kuadër të vizitës në NATO, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe delegacionit të Kosovës i është rezervuar një pritje...

Të fundit nga rubrika