Jasharaj: Blerja e librave nga prindërit, rrezikon të krijojë ndarje mes nxënësve

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kritikuar vendimin për blerjen e librave shkollorë nga prindërit, duke theksuar se kjo mund të shkaktojë ndarje midis nxënësve sipas mundësive financiare të familjeve

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas deklaratës së saj se prindërit ka mundësi që do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre.

Jasharaj ka karakterizuar këtë deklaratë si “shokuese” dhe ka theksuar se ky vendim ka potencialin për të ngarkuar emocionalisht prindërit dhe mësimdhënësit.

Sipas Jasharajt, me pagat e ulëta që prindërit kanë, shumica e tyre nuk do të kenë mundësi t’i blejnë librat e nevojshëm për fëmijët e tyre.

Kjo situatë, sipas tij, do të sjellë stres dhe ankth në fillim të vitit shkollor, dhe do të krijojë një ndarje midis nxënësve që mund t’i blejnë librat dhe atyre që nuk mund të bëjnë këtë.

“Deklarata e saj ka qenë goxha shokuese, kur them shokuese, për ne posepo sepse ne përfaqësojmë mësimdhënësit dhe ata në ditët e para të mësimit do të jenë në halle e do të jenë në stres, madje do të jenë të ngacmuar edhe emocionalisht ngase një pjesë e nxënësve do t’i blejnë librat sepse prindërit e tyre kanë më shumë mundësi ndërsa një pjesë tjetër do ta kemi pa tekste shkollore”, është shprehur ai.

Jasharaj gjithashtu kritikon mungesën e komunikimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe sindikatave të mësuesve.

“Duke i krahasuar dy konferencat për media të zonjës Nagavci sepse ajo nuk ka takime me SBAShK-un, nuk pranon takime edhe pse ne disa herë kemi kërkuar takime që të bisedojmë jo vetëm me MAShT-in por të jemi bashkë edhe drejtoritë komunale të arsimit edhe prindërit edhe asociacioni i komunave, të shohim se çfarë po bëjmë bashkë me shkollën në Kosovë e cila është në gjendje goxha të vështirë”, ka thënë tutje Jasharaj.

Ai ka theksuar se kërkimet për takime janë injoruar dhe kjo ka lënë mësimdhënësit dhe prindërit pa mundësinë për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të situatës shkollore.

Për më tepër, Jasharaj në intervistë për EO, ka shprehur keqardhje për mungesën e trajtimit të teknologjisë në shkollat e Kosovës në krahasim me vendet e tjera, ku pajisjet digjitale janë më të pranuara dhe të përdorura për të ndihmuar në mësimin. Ai e konsideron këtë si një mungesë të qëllimshme të investimeve në arsim nga Ministria e Arsimit.

“Zonja Nagavci nuk do bashkëpunim, i ikë dialogut dhe kjo është shkollë si duket edhe e kryeministrit Kurti i cili kështu i ka shkolluar sepse edhe ai kurrë nuk ka pasur dëshirë që të takohet me sindikatat madje i ka injoruar e madje i ka quajtur edhe me fjalë ofenduese, cinike e ironike”, ka deklaruar Jasharaj.

Në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

Ajo ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.

Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.

Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika