Joseph: Administrata Biden duhet ta bindë Ukrainën ta njohë Kosovën, janë tre hapa jetikë drejt një baze suksesi

Profesori amerikan në Universitetin e “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph rendit tri pika drejt një baze suksesi pas marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë nga Kosova dhe Serbia. Ai thekson se njohja nga Ukraina, me përpjekjet e administratës Biden, mund të shënonte një fillim

Edward P. Joseph.
Edward P. Joseph.

Administrata Biden duhet ta bindë Ukrainën që ndëpërmjet marrëveshjes së Ohrit ta njohë Kosovën, ka deklaruar profesori amerikan në Universitetin e “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph.

Në një analizë për “Foreign Policy”, Joseph gjersa ka evidentuar tri pika përmes së cilave Serbia mund të mos u shmanget detyrimeve të marrëveshjes së arritur në Ohër, ai ka deklaruar se një qasje e mundshme do të ishte edhe njohja e Kosovës nga Ukraina.

“Administrata Biden duhet të mendojë jashtë kutisë. Një qasje është të bindësh Ukrainën që të njohë Kosovën në bazë të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke i paraqitur mosnjohësit me një sfidë të vështirë: Nëse vendi, kufijtë e të cilit po shkatërrohen nga një armik me armë bërthamore, mund ta njohë Kosovën, pse nuk mundet ta bëjë edhe Spanja?”, ka deklaruar ai.

Ai vlerëson se një njohje nga këto vende do të vendoste në pozitë të vështirë shtetet e tjera mosnjohëse.

Sa u përket të tri pikave, ai nis me rënien e pretendimeve të SHBA-së se ajo është vetëm një mbështetëse e Bashkimit Evropian dhe se kjo e fundit është vetëm një ndërmjetësuese.

“Së pari, BE-ja duhet të eliminojë pretendimin se është vetëm një ndërmjetësues lehtësues midis palëve – dhe Uashingtoni duhet të eliminojë pretendimin se është vetëm mbështetës që ndjek shembullin e BE-së. Vetë marrëveshja përfshin “Propozimin e BE-së” në titullin e saj – i mbështetur plotësisht dhe i avancuar nga Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, ai thotë se nëse presidentit serb i bëhen “favore”, shanset e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Ohër të Maqedonisë do të bien.

“Së dyti, BE-ja duhet të eliminojë çdo dyshim të vazhdueshëm për natyrën detyruese të marrëveshjes dhe të gjitha dispozitave të saj. Të nxitur nga komentet e nxituara në internet, shqiptarët e Kosovës janë të shqetësuar se Vuçiq mund t’i shmanget marrëveshjes sepse ai nuk e ka nënshkruar atë, ose thjesht të zgjedhë ato dispozita që dëshiron të zbatojë. Zyrtarët perëndimorë ia kanë kënaqur nevojat autokratike Vuçiqit për t’u përballur me kritikët vendas. Nëse Vuçiqit i lejohet të shtrembërojë kushtet apo edhe statusin e marrëveshjes, shanset e zbatimit bien”, ka deklaruar ai.

Së treti, ai vlerëson se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato të cilat duhet të trajtojnë më shumë mohimin e rrugës evropiane të Kosovës nga anëtarët e BE-së.

“Së fundi, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj partnerëve të tij të BE-së për të trajtuar zbrazëtirën më të madhe në marrëveshje: mohimin e Kosovës për çdo rrugë të vërtetë evropiane. Pesë shtete të BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – refuzojnë me kokëfortësi të njohin Kosovën, duke e penguar Prishtinën edhe të aplikojë për anëtarësim në BE ose NATO. Mbetet plotësisht e paqartë nëse njohja de facto e Serbisë në marrëveshjen Bruksel-Ohër do t’i shtyjë mosnjohësit të ndryshojnë qëndrim. Këtu kanë rëndësi formalitetet. Nënshkrimi i Serbisë dhe, akoma më mirë, ratifikimi i marrëveshjes mund t’i shtyjë palët që të bëjnë hapin e vonuar dhe të njohin Kosovën”, ka deklaruar ai.

Ndër të tjera, Joseph thekson se angazhimi aktiv i premtuar i SHBA-së në këtë test të hershëm të zbatimit është thelbësor. Ai ngul këmbë se e gjitha ka të bëjë me cenimin e autonomisë së Kosovës.

“Angazhimi aktiv i premtuar i Uashingtonit në këtë test të hershëm të zbatimit është thelbësor. Administrata e Bidenit vazhdimisht i bëri presion qeverisë së Kosovës për autonomi për komunitetin serb të Kosovës. Kërkesa e Beogradit për “Asociacionin e komunave me shumicë serbe” nuk ka të bëjë fare me mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe gjithçka ka të bëjë me cenimin e sovranitetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Ndër të tjera, mbrëmjen e së mërkurës, Kurti e pranoi që marrëveshja me Serbinë ka Asociacionin, ai e përmendi nenin 10, në të cilin, sipas tij, flitet për këtë gjë.

“Ka Asociacion, neni 10 thotë që dy palët i konfirmojë obligimet e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, që mbeten të obligueshme. 39 marrëveshje janë, për më shumë se 4 vjet janë 39 marrëveshje”, ka thënë ai.

I pyetur se çfarë nuk i pëlqen te plani evropian, Kurti tha se mund ta ketë problem faktin që shumë gjëra nuk janë përfshirë, por që në parim nuk ka ndonjë gjë substanciale që do ta bënte propozimin e papranueshëm.

Shija e redaktorit

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Mbretërit kalojnë në finale të Ligës së Kampionëve

Mbretërit tashmë kanë kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas një fitore të zjarrtë ndaj Bayernit. Skuadra spanjolle, Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-1,...

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Të fundit nga rubrika