Prijësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, dhe Ardita Sinani njoftuan se, sipas rezultateve preliminare, koalicioni ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe mbetet në garë për të tretin.
Në postimet e tyre në Facebook, të dy thanë se koalicioni ka marrë 27.230 vota, duke e cilësuar rezultatin si “arritje historike”.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, shkroi Kamberi.
Kamberi dhe Sinani falënderuan votuesit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, subjektet politike shqiptare për bashkimin, si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.