Kartoni i Gjelbër, Flore: Po punojmë drejt zgjidhjes që i hap kufijtë për Kosovën

Drejtoresha menaxhuese e Këshillit të Byrove nga Brukseli, Greet Flore, ka deklaruar se po punojnë për një zgjidhje për Kosovën për Kartonin e Gjelbër

Greet Flore - Drejtoresha menaxhuese e Këshillit të Byrove nga Brukseli





Pas takimit midis drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, dhe drejtoreshës menaxhuese të Këshillit të Byrove nga Brukseli, Greet Flore, kjo e fundit ka thënë se po punohet për një zgjidhje për Kosovën për Kartonin e Gjelbër.

Kështu është shprehur ajo në një konferencë për media, ku ka theksuar se të enjten do të dalin me detaje të reja lidhur me hapat e mëtutjeshëm për Kartonin e Gjelbër.

“Jemi duke punuar se si do të arrijmë te synimi përfundimtar, bashkë jemi duke bashkëpunuar për të dalë te një zgjidhje që i hap kufijtë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo duke shtuar se nesër do të jepen më shumë detaje se si do të ecet tutje, shkruan RTK.

Ndërkaq, drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ka potencuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për hapat që BKS i ka ndërmarrë për të qenë pjesë e Këshillit të Byrove.

Ndryshe, në muajin korrik të këtij viti, një delegacion nga Kosova udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së kanë vizituar Brukselin, ku janë takuar me zyrtarët e lartë të Këshillit të Byrove nga Brukseli.

Me këtë rast janë diskutuar modalitete se si Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Kosova ende nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër, derisa sipas Qeverisë është duke u punuar për këtë.

Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.

Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër.

Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim.

Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë sigurim në cilindo shtet të huaj, përveç atyre me të cilat Kosova ka marrëveshje reciproke për policë sigurimi.

Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane. Por, statuti i këtij këshilli e thekson se për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i OKB-së.

Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë, Kosova nuk ka arritur ende të bëhet pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si: OKB, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale e të tjera.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa të tjera – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.





Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika