Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, i dhemb rruga e shtruar vetë me bashkëpartiakët e saj.
Me anë të një postimi në Facebook, Kica-Xhelili ka thënë se ministrja Haxhiu është befasuar pasi Gjykata, vendimet e së cilës thotë se i shkonin për shtat dikur, ka filluar t’i evidentojë shkeljet e saj.
“Kjo Gjykatë Kushtetuese (GJK) ka rrëzuar Qeverinë Hoti – vendim që i shkoi për shtat asokohe ministres Haxhiu. Kjo GJK ka gjetur me të drejtë 22 shkelje në marrëveshjen për Asociacionin – që i shkoi për shtat gjithë VV-së si pretekst se në pushtet kishim shkelës të Kushtetutës. Por – kur e njëjta Gjykatë ka filluar t’i evidentoj shkeljet e Ministres Haxhiu, ajo paska filluar të befasohet. Paska filluar ta vë në pyetje kredibilitetin e GJK. Natyrisht. Sepse sot, ajo është zyrtarisht shkelësja e Kushtetutës që dikur e përçmonte si tradhëti kombëtare – dhe i dhemb rruga që ka shtruar vet me kolegë. I paska rënë ndërmend se në pushtet paska ndonjëherë edhe njerëz që gabojnë, jo monstrumë. Megjithëse duke i njohur – këta nuk gabojnë pa qëllim. Për Ministren nuk qenka më GJK e mirë. Ndryshon puna tash. Fati që kushtetutshmëria e këtij vendi nuk varet nga Albulenat. E natyrisht as nga Doarsat. Qoftë gjithmonë kështu! (Edhepse për herë të parë Serbia pat nënshkruar dokument duke njohur Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës)”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, Haxhiu ka theksuar se nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual i antarëve të KPK-së dhe atë jo të gjithëve, por disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një insitutcion të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, për vetë sistemin prokurorial, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, deklaroi ajo.
Haxhiu nuk pajtohet me vendimin e Kushtetueses: Për ta më i rëndësishëm është interesi individual