Kosova e ka ekstraduar të hënën në Turqi një shtetas turk, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar me urdhërarrest të lëshuar nga autoritetet turke, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “shfrytëzim seksual i fëmijës” dhe “privim i lirisë së fëmijës”.
I dyshuari ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa ekstradimi është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Turqisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, më 5 janar 2026 ka kryer ekstradimin e shtetasit turk nga Kosova në Turqi.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për përfshirje në veprat penale “shfrytëzimi seksual i fëmijës” dhe “privimi i lirisë së fëmijës”, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Turqisë.
Policia e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve kriminale.