“Jemi në ankth”, Kurti: Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, mandatarI i propozuar për kryeministër, Albin Kurti, ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kurti tha se vendi është në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor, ndërsa e cilësoi të padrejtë dhe të pabesueshme kërkesën e Prokurorisë, duke thënë se ajo është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit të Kosovës dhe drejtësinë e luftës çlirimtare.

“Jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, deklaroi Kurti.

Ai tha se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë sa i përket krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin”, tha Kurti.

Në fund, ai theksoi se, sipas tij, asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.

 

Të fundit nga rubrika