“Kurti duhet të kuptojë se ka përballë historinë, jo egon”, “Marrëdhëniet tona nuk janë si më parë”, zhvillimet në vend “në sytë” e Shqipërisë

Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë nxitur shumë reagime, ndonjëherë edhe të "ashpra" nga ndërkombëtarët. Ato nuk munguan as nga Shqipëria e cila ndonjëherë zgjodhi të kritikojë, ndonjëherë të mbështesë Kosovën. Por, si vlerësohen këto mori ngjarjesh në Shqipëri, ju informon ky artikull

Foto: Valdrin Ahmetaj / RTV Dukagjini

Zhvillimet e fundit në vend, duke filluar nga ato në veri, kanë zgjuar reagime të shumta nga aleatët tanë ndërkombëtarë, por nën hije nuk mbesin as ato nga Shqipëria.

Derisa shumëçka po ndodh gjatë muajve të fundit në vend, Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka mbështetur vendimet e kryeministrit Kurti lidhur me situata të caktuara, por nganjëherë nuk kanë munguar as kritikat nga ana e tyre.

Por për të sjellë prapë pikëpamjen e tyre mbi këto zhvillime, analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka diskutuar rreth ngjarjeve kyçe që po mbizotërojnë në vend, por, njëkohësisht, edhe në mediat tona.

“Përkundër pritshmërive e adhurimit, Kurti politikisht larg këtij përfytyrimi”

Ben Andoni ka thënë se nga 2 vite të qeverisë Kurti, përkundër pritshmërive, adhurimit, qasjes së modelit të një portreti të ri politikani, siç ishte rasti i tij, po ndjenjë që politikisht është shumë larg “këtij përfytrimi”.

“Është për të ardhur keq, që trendi i fitores së tij, linte shumë shpresë, por sot, duket se gjithçka e merr dialogu i vështirë (Për këtë nuk mund të bëhet kurdoherë fajtor z. Kurti) Kosovë-Serbi dhe ngjarjet në Veri”, ka thënë Andoni.

Andoni ka thënë tutje se papjekuria e tij në fillim e rendiste dialogun ndër prioritet minore, derisa nuk kursen kritikat edhe për ministrat e kësaj qeverie, që, sipas tij, të njëjtit mbahen më shumë mend për premtimet sesa realisht për punët që kryejnë.

“Me aq sa ndjekim nga Tirana, u tha se do të kishte një tren të shpejtë Prishtinë-Fushë Kosovë, do të bëheshin rrugët Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Mitrovicë (ky premtim mbase mban kohë), por ende asgjë. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, fliste me shumë besueshmëri, por në Kosovë e dinë mirë realitetin. Shumë po pritet nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, por ata që njohin premtimet e dinë se sa larg janë realiteteve të ndërtimit të çerdheve dhe nivelit të shkollave në Kosovë. Kushtet në shërbimin shëndetësor lënë shumë për të dëshiruar dhe shumë fusha të tjera, hasen me probleme, që e bën jetën e kosovarit të thjeshtë tejet sfiduese”, ka shtuar Andoni.

Analisti nga Shqipëria ka shtuar tutje se ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë gjetur një “lloj paqe” pas tymit të madh që kanë ngritur ngjarjet e Veriut, ku publikut i serviret vazhdimisht dhe pandërprerë tension politik, por jo vëmëndje për atë çka ndodh në vend”.

Derisa koordinimi i Kosovës me aleatët ndërkombëtarë po konsiderohet i nevojshëm gjatë tensioneve të krijuara në veri, njësoj mendon dhe Andoni, por, sipas tij, kjo qasje ka humbur “deri diku”.

“Duhet të ketë mendje të ftohta në Kosovë ta kuptojnë se faktori ndërkombëtar do të mundësojë edhe përmbushjen finale të dialogut”

“Që do të thotë se Kosova paçka paqartësive të saj, përballet me apatinë e një faktori ndërkombëtar, që ia ka vështirësuar shumë dialogun. Ç’është më shqetësuese është se SHBA-ja që përgatiti dhe asistoi me dokumentacionin Rambujenë, Vjenën dhe shumë momente të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, tashmë është në mes të dialogut dhe jo pak herë i kërkon llogari Kosovës. Me sa duket inercia për ta kthyer gjendjen e mëparshme është e pamundur dhe ajo që dekada më parë: mbështetja pa kushte nga SHBA dukej e panegociueshme dhe e mirëqenë, tashmë ka nisur të merret me shumë kufizime. Dhe, nuk mbaron këtu”, ka theksuar Ben Andoni.

Andoni potencon se emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak e ka vështirësuar shumë me “apatinë” e tij, kurse sipas tij përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, duket i paqartë në një proces dialogu, “që tashmë pas Marrëveshjes së Ohrit duhej të kishte shënuar rezultatet e para”.

“E megjithatë, duhet të ketë mendje të ftohta në Kosovë ta kuptojnë se faktori ndërkombëtar do të mundësojë dhe përmbushjen finale të dialogut, që për ne shqiptarët është një dhe vetëm një: Njohja e Kosovës nga Serbia”, ka potencuar Andoni.

Ben Andoni, analist nga Shqipëria

“Nuk më duket se është fryma e viteve më parë kur mendohej masivisht për bashkimin e  Kosovës me Shqipërinë, por ka ende shumë frymë patriotike mes shqiptarësh”

Tutje, Andoni thotë se veprimet e kryeministrit Kurti karshi zhvillimeve, në Shqipëri interpretohen si jo të mira.

“Grupi i opinionbërësve e shikon veprimtarinë e Kurtit pro apo kundër Ramës, por gjoja ia veshin përballjes me faktorin e huaj. Më përpara ka qenë pak problem pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhje në Tiranë për pjesën e politizuar dhe cinizmi i jopakhershëm i Kurtit dhe presidentes Osmani ndaj Tiranës zyrtare, ku sërish politikanët e kanë trajtuar në aspektin politik. Po ashtu, përfshirja e Kurtit në protestën e studentëve duket se nuk është pritur aq mirë nga pjesa pro qeverisë”, ka deklaruar Andoni.

Se a do të ndikojnë zhvillimet politike në idealet kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, Andoni është shprehur se marrëdhëniet mes shteteve nuk janë si më parë.

“Më vjen keq të them, nuk më duket se është fryma e viteve më parë kur mendohej masivisht për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por në thelb ka një shenjë të mirë, që të rinjtë e dy anëve të kufirit duan dhe e respektojnë shumë njëri-tjetrin. Madje, të rinjtë, artistët dhe biznesmenët janë ata që i kanë hequr kufijtë. Më së shumti mentalë. Ato janë më të frikshmit. Nëse do të arrijnë t’i vendosin ato, qoftë nga politikanët këtej apo andej kufirit apo faktori i huaj, atëherë ne do ta humbin njëri-tjetrin”, ka potencuar analisti Andoni.

Sipas tij, fillimisht humbet në mendje, pastaj në shpirt dhe përfundon në humbjen fizike, por thekson se ka ende shumë frymë patriotike mes popullit shqiptar.

“Megjithatë ka ende shumë frymë patriotike mes shqiptarësh dhe uroj që kjo të forcohet. Mbi të gjitha do të uroja që arti t’i kushtojë shumë më tepër vuajtjes së Kosovës në dekada, pa harruar luftën e fundit dhe pogronin ndaj Kosovës. Ajo do ta mbajë gjallë idealin kombëtar”.

Se çfarë “duhet të përmirësojë” kryeministri Kurti për të destabilizuar veriun, Andoni shprehet se i njëjti duhet të kuptojë se në këtë moment duhet të veprojë në mënyrë pragmatiste.

“Politikanët e Kosovës, e sidomos Kurti, duhet të kuptojë se tashmë përballë ka historinë dhe jo egon”

“Në një dialog ku serbët nuk e pranojnë Kosovën, duket mision i pamundur që autoritetet e Prishtinës të gjejnë një rrugë të qartë. Po mendoj, që të paktën, duhet që Kurti pas parimeve që shpalli për Asosacionin, tashmë të kishte draftin e përfunduar sipas idesë së tij. Zvarritja tregon paaftësi nga Kosova dhe pak demagogji”, ka thënë ai.

Ai thekson se duket që se serbët duan t’i marrin të gjithë “me të mirë”, e Kosova duhet të pranojë se gjendet në një nga udhëkryqet historike të saj më të vështira.

“Politikanët e Kosovës, e sidomos Kurti, duhet të kuptojë se tashmë përballë ka historinë dhe jo egon”.

Derisa për prezantimin e draft-statutit të Asociacionit që bëri Rama tek ndërkombëtarët pa u konsultuar me Kurtin, Andoni beson që drafti është prodhim ndërkombëtar, “që po vishet me qëndrimin e Tiranës zyrtare”.

“Kosova të mos e tepronte në reagime me Tiranën, Rama duhej ta konsultonte me autoritetet kryesore të Kosovës”

“Tirana mund të ishte transparente dhe të mos e qesëndiste Kosovën. Kurse kjo e fundit përmes Kurtit dhe shumë zërave intelektualë, por edhe anëtarëve të Vetëvendosjes nuk duhej ta tepronte në reagime me Tiranën. Më vjen keq, sepse sërish drafti është përdorur politikisht, paçka se faktori ndërkombëtar e ka vlerësuar. Mendoj që Rama duhej ta konsultonte me autoritetet kryesore të Kosovës, paçka se mendoj, po ashtu, që Tirana në rast se donte ta ndihmonte Kosovën, duhej të mundohej teknikisht me asistencë specialistësh të huaj dhe vendas dhe jo duke folur thjesht si vend i BE-së dhe i NATO-s”, ka shtuar ai.

“Serbia, e përkdhelura e përhershme e BE-së”

Krahas zhvillimeve në veri, analisti nga Shqipëria thotë se Serbia është e përkdhelura e përhershme e BE-së.

“Kosova duhej ta mbajë tashmë në çdo minuta pavarësinë dhe ta përmirësojë shtetformimin në çdo moment. Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe duket se Marrëveshja e Ohrit u dha pak oksigjen më shumë, kur mendonim prej vitesh se çdo hap i tyre ishte i lidhur me njohjen e Kosovës”.

Sipas Andonit, duket se Serbia po pret modalitete të reja të integrimeve evropiane dhe sipas tij, nuk është habi që të integrohet sërish para Shqipërisë e Malit të Zi në BE, qoftë dhe duke mos e njohur Kosovën.

“Më duket e pandershme dhe hipokrite para BE-së, arroganca e Kurtit nuk mund të krahasohet me përgatitjet për keqësim të situatës nga ana e serbëve”

Ngjarja në Zveçan, ku u ndalua një automjet me targa të Beogradit, brenda të cilit kishte sasi të madhe të amatimit, nxiti reagime të shumta.

Rreth kësaj çështjeje, Andoni theksoi se kjo ishte paralajmëruse që serbët po përgatiten ndryshe për Kosovën. Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të jenë të zgjuar dhe solidarë, kur flitet për pavarësinë dhe Veriun.

“Më duket e pandershme dhe hipokrite para BE-së që nuk po shikohet ajo që ndodh në Veri, ku arroganca e Kurtit nuk mund të krahasohet me përgatitjet për keqësim të situatës nga ana e serbëve. Dhe, rasti i makinës në Zveçan dhe të tjerave që nuk janë identifikuar duhet të na mbajnë të zgjuar. Rreziku i incidenteve më të forta është fare pranë”, ka përfunduar Andoni.

“Reagimet e kryeministrit Rama janë të vonuara, ishte dashur të reagojë më shpejt dhe të jetë më përkrahës” 

Ndërsa aktivisti politik, Visar Dili, lidhur me zhvillimet e fundit në vend ka thënë se reagimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, janë të vonuara dhe sipas tij, ai ishte dashur që reagonte më shpejt dhe të jetë më përkrahës.

“Reagimet e kryeministrit Rama janë të vonuara, ai është dashur që të reagojë më shpejt dhe të jetë më përkrahës”, ka thënë Dili për Portalin Dukagjini.

Visar Dili, aktivist politik

Dili ka thënë se Shqipëria ka ndikim të madh, por, sipas tij, qasja e saj ndaj Kosovës është pak pragmatike.

Aktivisti politik është shprehur se Shqipëria duhet të jetë më e zëshme kur flitet për Kosovën. Sipas tij, ajo duhet të ketë qëndrim vëllazëror dhe përkrahës ndaj Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se në kushte normale Shqipëria nuk duhet t’i prishë marrëdhëniet me Kosovën dhe se ajo duhet të jetë përkrahëse dhe këshilluese deri në fund për Kosovën.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika