Kurti: Jemi gati t’ia zgjasim dorën një vendi që ka bërë gjenocid, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ndihma më e madhe në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte nëse shteti serb distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga e tashmja e Putinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Forumin e Paqes i cili po mbahet në Paris, ka deklaruar se Kosova është e gatshme t’ia zgjasë dorën një vendi që ka bërë gjenocid, por sipas tij këtë e bën, nëse Serbia është e gatshme të çlirojë grushtet e tyre nga vendi.

“Kosova ka filluar çështjen për rregullim të marrëdhënieve, Serbia ka dështuar dhe kërkon më shumë konflikt. Serbia nuk është as demokratike, as e pavarur në ditët e sotme. Kosova kërkon marrëdhënie fqinjësore të mira, dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka bërë gjenocid, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre, por nëse Serbia nuk është gati që të na njohë, 5 shtetet e tjera nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë”, ka deklaruar Kurti.

Po ashtu, Kurti ka thënë se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, dhe e tashmja e presidentit rus, Vladimir Putin, sepse sipas tij, kjo do t’i ndihmonte për të arritur marrëveshje, për t’iu dhënë drejtësi viktimave.

Ndërsa, ai ka thënë se Kosova është shtet demokratik dhe se çdo qytetar në Kosovë, pavarësisht gjinisë dhe etnisë, është i barabartë para ligjit.

“Ne kemi Kushtetutën më të avancuar me të drejta gjithëpërfshirëse për pakicat, por posaçërisht për komunitetin serb, të drejta që nuk arrihen as nga demokracitë më të avancuara ne rajon dhe në Evropë”, është shprehur Kurti.

“Projekti Botëror i Drejtësisë edhe një herë renditi Kosovën si të parën në indeksin e sundimit të ligjit dhe të dytin në gjithë botën për përmirësimin më të madh të sundimit të së drejtës në vitin e kaluar. Edhe një herë jemi përmirësuar për 17 pozita edhe në luftën ndaj korrupsionit”, ka thënë tutje Kurti.

Gjithashtu, Kurti ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihmën që ka dhënë deri tash dhe që sipas tij,  po e jep edhe tash, në veçanti për paqe e demokraci në Kosovë.

Ai ka shtuar se rruga që duhet të ecë Kosova është drejt paqes në Ballkan Perëndimor, duke thënë se na duhet një Ballkan Perëndimor për një vend më demokratik dhe më evropian.

“Ballkani perëndimor është në Evropë, dhe Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë, kjo bëhet kur Bashkimi Evropian është në Evropë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, zgjerimi është vetë thelbi i BE-së, ndërsa BE-ja duhet të jetë besnike ndaj thelbit të saj.

Ai ka përmendur se Kosova ka edhe pesë vende që ende nuk e njohin, duke shtuar se Gjykata me e lartë e drejtësisë ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë të drejtë.

Inflacioni në Kosovë, Kurti ka thënë se është diku rreth 12 për qind dhe përkundër kësaj Qeveria po pret rritje 4 për qind të produktit vendor, dhe nga kjo ai ka shtuar se po ia dalin me sukses menaxhimit.

“Po arrijmë t’ia dalim me sukses, deri tash së paku nga kriza që është pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit ushtarak rus, çmimet e energjisë janë rritur e edhe tjerat kanë pasuar. Kosova ka një masë të madhe të mallrave që importohen. Ne kemi pasur, pra kemi ofruar 2 pako të mëdha për qytetarët: Pakon e Ringjalljes Ekonomike, këtë vit Pakon e Rimëkëmbjes dhe një tjetër që e kemi shtuar që të dyja bashkë përbëjnë 5 për qind të bruto produktit vendor”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka thënë se e ka përkrahjen e popullit, dhe populli e kupton që inflacioni nuk është për shkak të Kosovës por “për shkak të agresionit të paarsyetueshëm, dhe një ndikim i madh është që Serbia nuk është vënë në linjë me Bashkimin Evropian në qëndrimet e veta ndaj Rusisë”.





Shija e redaktorit

Aksioni i Policisë në veri, konfiskohen rreth 74 milionë dinarë

Policia e Kosovës ka shpalosur detaje shtesë lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së sotme në veri të vendit. Sipas njoftimit të Policisë së...

Melinda Ademi publikon projektin e ri “Kiss me”

Këngëtarja e njohur, Melinda Ademi, ka publikuar projektin e saj më të ri me titullin “Kiss Me”. Kënga e publikuar është me melodi dhe tekst...

Dafina dhe Ylli vazhdojnë t’i “trazojnë ujërat”, pozojnë me...

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, sot ka kapur vëmendjen e të gjithëve me postimin e saj të fundit në rrjetin social "Instagram". "Duar të bashkuara"...

Të fundit nga rubrika