Kurti me lëvdata të mëdha për Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe për Pagat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka falënderuar të gjithë deputetët të cilët kanë votuar pro Ligjit të Pagave dhe atij për Zyrtarët Publikë

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka falënderuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët i mbështetën Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Pagat në Sektorin Publik.

Kurti tha se përmes këtyre ligjeve, të cilat janë i njëjti projekt, do të ngritët profesionalizmi në administratën publike.

Ai i ka renditur dobitë, të cilat sipas tij, i sjell miratimi i këtij ligji:

– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);

– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);

– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Kurse Ligji i Pagave për sektorin publik sipas Kurtit “themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi”.

“Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:

– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.

– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.

– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.

– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt”, ka shkruar Kurti.

“Shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave. Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase”, ka vijuar ai.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e 22 dhjetorit, ka miratuar Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Për këtë projektligj votuan, gjithsej, 62 deputetë, 58 ishin pro, ndërsa katër ishin abstenime.

Opozita pati mjaft kritika për këtë projektligj. Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë fare në votimin e projektligjit për zyrtarët publikë.

Sipas tij, ky projektligj e cenon në thelb punën e administratës publike dhe e dëmton jashtëzakonisht shumë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika