Kurti për migrimin e qytetarëve: Pa u rregulluar sektori privat dhe pa u rritur pagat, vazhdimisht do të ketë ikje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky trend i ikjes do të vazhdojë deri sa të rregullohet sektori privat dhe të rriten pagat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për migrimin e qytetarëve jashtë vendit, ka thënë se e njëjta po ndodhë për shkak të mungesës së urës ndërmjet arsimimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës.

Kurti ka theksuar se numri më i madh i atyre që po largohen nga vendi është nga sektori privat, dhe sipas tij, ky trend i ikjes do të vazhdojë deri sa të rregullohet sektori privat dhe të rriten pagat.

“Sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë është e vërtetë se është problem i madh dhe arsyeja kryesore e migrimit të pasluftës është mungesa e urës ndërmjet arsimimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës, ky është problemi më i madh”.

“Më besoni se prej krejt analizave del që numri më i madh i atyre që shkojnë është nga sektori privat ku bëjnë pjesë 80 për qind të punësuar, pagat janë më të ulëta, shkeljet e të drejtave të punëtorëve është më e madhe, kushtet më të padinjitetshme të punës janë në sektorin privat dhe kjo bën që njerëzit të migrojnë. Pa e rregulluar sektorin privat dhe pa i rritur pagat aty, vazhdimisht do të ikin njerëzit”, shtoi Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen pas reagimit të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se qytetarët po largohen për shkak “të arrogancës së qeverisjes aktuale”.

“Kryeministër Kosova po zbrazet çdo ditë dhe jo vetëm nga të rinjtë dhe të papunët, Kosova po zbrazet nga profesionistët, mjekët, infermierët, policët e ushtarët. Kur do të adresohesh një ditë para qytetarëve dhe t’u garantosh atyre siguri që të jetojnë në vendin e vet”, ka thënë Musliu.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu

Musliu – Kurtit: Sillu si kryeministër dhe jo si prind i keq

Po ashtu, ajo ia ka përmendur edhe mbrojtjen që kryeministri ia bëri ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e arsyetuar se i njëjti ndonëse ia ndërpreu fjalën kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, por nuk ka ofenduar.

“Meqë isha dëshmitar i ndërprerjes së fjalës së Haradinajt nga ministri Murati, bëhej fjalë për ndërprerje por jo për ofendim në përmbajtje, meqë nuk dëgjohej nga të tjerët unë dola ta sqaroj. Ky e mbron vetën, nuk kam nevojë ta mbroj”, ka thënë Kurti.

Por deputetja Musliu, i kundërpërgjigjet duke i thënë se po “bëhesh prind i keq”.

“E more në mbrojtje ministrin e Financave, mu duke sikur ai prindi i keq, që thotë djali im nuk ka faj, fëmija im është i edukuar nuk ka folur kurrgjë.  Po ta kujtoj një fjalë të urtë popullore, fëmija i hanë mollët e të mëdhenjve iu mpihen dhëmbët. Prandaj sillu si kryeministër dhe jo si prind i keq”.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika