Kurti përkujton heronjtë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 34-vjetorin e rënies së tyre

Kryeministri Kurti ka thënë se veprimtaria e Afrimit dhe e Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar heronjtë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 34-vjetorin e rënies së tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se në demonstratat e vitit 1981 ata kishin nisur aktivizmin e tyre, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata tashmë ishin bërë organizatorë demonstratash.

Kurti ka thënë se veprimtaria e Afrimit dhe e Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës.

“Nga një nëntor në tjetrin, vit pas viti, sot janë bërë 34 vite nga dita kur dy vdekje të përveçme në një rënie të përbashkët, i përjetësuan dy jetë njerëzore në një nyje të mirëlidhur në rrugën që na nxorri deri te liria e Kosovës. Në Prishtinë, mes banesave të lagjes Bregu i Diellit, për shqiptarët e Kosovës u shenjua një vend i veçantë në rrugën e tyre për liri. Shenja e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu! Ajo shenjë që e nderojmë edhe sot, siç e nderojmë çdo 2 nëntor në Breg të Diellit dhe ajo shenjë që e nderojmë çdo ditë në histori, kur kujtojmë dhe kultivojmë frymën që i bashkoi dhe i drejtoi Afrimin dhe Fahriun”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai ka thënë se rasti i Afrimit dhe i Fahriut ishte nga shenjat e para në dekadën e mbrame (1989 – 1999), në historinë e përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar nga pushteti okupues i Serbisë.

“Veprimtaria e Afrimit dhe Fahriut deri në frymën e tyre të fundit, u bë shembull frymëzues për shokët e tyre dhe ata që më pas iu bashkuan grupeve ilegale në lëvizjen për çlirimin e Kosovës”.

Ndryshe, në mesditën e 2 nëntorit të vitit 1989, policia serbe i rrethoi këta dy veprimtarë politikë shqiptarë, në një bazë ilegale të tyren në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, në bllokun numër 3, në një bodrum në hyrjen numër 3.

Kurti ka thënë se të paepur në përpjekjen e përbashkët dhe të bindur në rezistencën e tyre për lirinë e Kosovës, këta dy shokë luftuan për orë të tëra atë ditë, derisa u vranë dikur natën vonë.

“Të dy ata kishin lindur në trevat e Llapit në vitet ’60, në të ’60-at e demonstratave: Fahriu më 1963 në Llaushë, kurse Afrimi më 1965 në Llugë. E kishin nisur aktivizmin e tyre në demonstratat e vitit 1981, kurse në demonstratat e vitit 1989, ata tashmë ishin bërë organizatorë demonstratash. I njihnin mirë rrugët që kishin ndjekur dhe fatet që kishin patur Fazli Greiqevci dhe Shaban Shala, Metush Krasniqi dhe Adem Demaçi, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, emra që përfaqësonin vetëdijen e rrugës së tyre për liri.

Andaj deri në ditët e fundit para rënies, më 31 tetor dhe 1 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu kishin organizuar demonstrata dhe u kishin prirë atyre bashkë me shokët e tjerë në Prishtinë. Kishin shpërndarë trakte dhe kishin planifikuar hapat e ardhshëm të lëvizjes ilegale. Po e zgjeronin grupin, po e forconin organizimin dhe po e rrisnin aktivizmin. Niveli i tyre i gatishmërisë, është qartazi i lexueshëm në aktin e tyre të fundit, kur edhe të armatosur luftuan për atë drejt së cilës ishin nisur që në rini, për lirinë e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika