Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, i cili deri më tani ka shërbyer në cilësinë e zëvendësambasadorit.
Shefi i ekzekutivit në këtë takim tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Rruga përpara e rajonit drejt integrimit në BE e prosperitetit mbetet me rëndësi, ku u veçua dhe kontributi që Hungaria mund të japë vitin e ardhshëm gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së. Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se Kosova ka nevojë vitin e ardhshëm për mbështetje për statusin e vendit kandidat për BE, për Partneritetin për Paqe drejt anëtarësimit në NATO dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi Bozsik për punën, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Hungarisë që prej vitit 2016 dhe e përgëzoi për detyrën e tij të re si ambasador.
“Thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është përkushtim dhe qëllim i dyanshëm. Kosova dhe Hungaria bashkëpunojnë në shumë nisma dhe projekte me interes të përbashkët. Kryeministri falënderoi Hungarinë për mbështetjen në fushën e arsimit, veçanërisht 75 bursa në vit të ndara për studentët nga Kosova, por edhe përkrahjen në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, ka vijuar ai.
Ambasadori Bozsik shprehu përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë ndaj Kosovës.