Edhe këtë të enjte, punëtorët e Trafikut Urban edhe ata të linjave private, adresën e kanë pasur të njëjtë.
Para objektit të komunës së Prishtinës ata kanë protestuar sërish për pagat dhe borxhet që ua ka komuna, kësaj here edhe me zhurmë. (SIRENA efekt)
Por për dallim nga ditët e kaluara, protesta zgjati më shumë deri në fillimin e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama kërkoi mbështetje për të votuar pikën e parë të rendit të ditës, propozim-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga viti 2024 në vitin 2025, në vlerë prej 28 milionë eurosh.
“Asnjë kalkulim politik nuk guxon të vihet mbi nevojat e tyre. Fondet që po i trajtojmë sot do të shfrytëzohen menjëherë për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike të kryeqytetit”, ka thënë Rama.
Lëvizja Vetëvendosje nuk kurseu kritikat, por as mbështetjen për pikën e parë.
“Ne asamblistët e VV’së do ta votojmë bartjen e mjeteve, do ta votojmë jo për ta shpëtuar Përparim Ramën por për t’i ndihmuar përkohësisht Prishtinës nga zullumi i Përparim Ramës. Votojmë sepse e kemi detyrim ndaj qytetit, sepse punëtori i trafikut urban nuk është fajtor për paaftësinë e kryetarit”, ka thënë Gëzim Sveçla, drejtues i asamblistëve të VV-së.
Mbështetje për këtë pikë ofroi edhe PDK, por fjala e saj nuk kaloi pa zhurmë. (Efekt: LVV: Uroje se e ke ndihmu)
“Grupi i asamblistëve të PDK’së për mandatin 2021-2025 mbetet i vendosur të kontribuojë me seriozitet për tejkalimin e kësaj gjendje në këtë mbledhje të jashtëzakonshme…në dobi të qytetarëve, PDK do të votojë në këtë seancë”, ka thënë drejtuesi i asamblistëve të PDK-së Leotrim Retkoceri.
Bartja e mjeteve na viti i kaluar në vitin aktual u miratua me 38 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Lajmi iu kumtua edhe protestuesve që po qëndronin jashtë objektit, të cilët e përcollën Ramën me duartrokitje. Megjithatë, protesta e punëtorëve vazhdon derisa mjetet financiare të ekzekutohen.