Lajçak me Petkoviqin bisedon për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve

Në takimin me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqin, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka biseduar për rrugën përpara në dialog dhe hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim. Lajçak tha se është në përgatitje për takimin e radhës mes kryenegociatorëve gjatë kësaj jave dhe ka theksuar diskutimet mbi sfidat dhe hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit mes dy palëve

Në takim me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqin, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke u përgatitur për takimin e radhës mes kryenegociatorëve gjatë kësaj jave.

Lajçak thotë se me Petkoviqin kanë diskutuar për rrugën përpara në dialog dhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe rrugën drejt normalizimit mes palëve.

“Pas vizitës time në Kosovë, kam udhëtuar edhe në Beograd për t’u përgatitur për takimin e radhës në mes kryenegociatorëve gjatë kësaj jave. Diskutova rrugën përpara në Dialog dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën në Beograd se tashmë pala që ai përfaqëson e di pse shkon të enjten në Bruksel, në një rreth të ri të bisedimeve me përfaqësuesin e Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve.

Ai tha se Serbia në Bruksel do të marrë një grup ekspertësh, me të cilët, do të diskutojë për draftin e Asociacionit.

“Por është shumë e rëndësishme ajo në të cilën po hyjmë më në fund, në bisedime për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mbi të gjitha, në cilën mënyrë do i zgjidhim një numër të çështjeve të rëndësishme që kanë lidhje me Asociacionin e Komunave serbe, ndaj të gjitha atyre kompetencave ekzekutive që kjo bashkësi i ka në bazë të ujdive të nënshkruara më 2013 e 2015. E që ka të bëjë edhe me shëndetësinë, arsimimin, planifikimin hapësinor dhe të gjitha çështjet tjera të rëndësishme. Si dhe çështjen më të rëndësishme e që është se Beogradi ka të drejtën e plotë t’i financojë të gjitha këto institucione nëpërmjet Asociacionit së Komunave serbe”, ka thënë Petkoviq.

Pas takimit që ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishin me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, Petkoviq u shpreh i ngazëllyer që më në fund siç tha po nisin bisedimet për draft-statutin e Asociacionit.

“Sigurisht që folëm edhe për Asociacionin. Kjo është tema kryesore dhe më e rëndësishme për popullin serb, përveç depërshkallëzimit, për të cilin ka insistuar veçanërisht Vuçiq. Asociacioni është një mekanizëm për ruajtjen e të drejtave kolektive dhe individuale që Kurti i shkel çdo ditë. E pranuam ftesën e Lajçakut që pas dy ditësh të takohemi në Bruksel, ku do të vazhdojë dialogu. Pala jonë do të shkojë me një ekip ekspertësh dhe do të diskutojmë edhe tekstin e Statutit të Asociacionit, që është hapi i parë në formimin e Asociacionit”, ka vijuar ai.

Megjithatë, gjatë një takimi me liderët evropianë në Bruksel më 26 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka pranuar draft-statutin e Asociacionit në kuadër të një pakoje.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika