Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot listën e kandidatëve të saj për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Në një postim në Facebook, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku ka theksuar se kjo është “lista e shpresës”, duke përfshirë njerëz që besojnë në shtet, ligj, meritë dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Në dhjetëshen e parë të listës, pas Abdixhikut janë: Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Doarsa Kica-Xhelili, Lutfi Haziri, Abdullah Hoti, Anton Quni, Jehona Lushaku-Sadriu, Ferid Agani dhe Ukë Rugova.
Ai ka përshkruar ekipin si një kombinim të përvojës, profesionalizmit dhe energjisë së gjeneratës së re që kërkon ndryshim të vërtetë për vendin.
“Me këtë listë, Lidhja Demokratike e Kosovës nis rrugëtimin drejt më 28 dhjetorit për ta kthyer vendin në normalitet, për t’i rikthyer institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin. Shkojmë drejt fitores me qetësi, me dije, me përkushtim – dhe me besimin se populli i Kosovës do të zgjedhë shpresën”, ka shkruar kryetari i LDK-së.
