LDK: S’kemi marrëveshje me PDK-në në Prishtinë për bashkëqeverisje

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mohuar se ka marrëveshje për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës në Prishtinë apo me ndonjë subjekt tjetër politik.

Në një komunikatë për media, LDK ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për marrëveshje politike deri më tani, duke theksuar se çdo pretendim i tillë nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë.

LDK ka theksuar se vendimet e saj merren përmes strukturave dhe organeve zyrtare, dhe se çdo marrëveshje jashtë këtyre procedurave nuk ka fuqi politike dhe nuk përfaqëson vullnetin e LDK-së.

Kjo parti ka shtuar se proceset e bashkëpunimit ndërpartiak, sipas saj, duhet të zhvillohen përmes transparencës dhe vendimmarrjes institucionale.

Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se për çështjet lokale, partia do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale, ndërsa aktualisht është e fokusuar në procesin e brendshëm të ringritjes dhe organizimit.

Ndërsa, kryetari i PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, në një emision televiziv të hënën në Televizionin 7 ka thënë se kanë arritur koalicion me LDK-në në kryeqytet.

Të fundit nga rubrika