Lekaj: Kurti po e stimulon procesin e ikjes së qytetarëve nga vendi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se “Me krejt dhe Drejt”, po stimulohet ikja e qytetarëve nga vendi

Deputeti nga AKK, Pal Lekaj





Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me udhëheqjen e tij po e stimulon dhe shpejton procesin e largimit të qytetarëve të Kosovës nga vendi.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, teksa ka thënë se vendi po përballet me krizë ekonomike, Lekaj ka renditur çmimet e disa produkteve që sipas tij kanë shënuar rritje.

“Me krejt dhe drejt” e stimuluat dhe shpejtuat procesin e largimit të qytetarëve nga Kosova”, ka shkruar Lekaj.

“Çmimi i 1 Ton Pelet 600 €- trefishim nga viti 2021, çmimi i drurit 80€/m – dyfishim nga viti 2021, çmimi i bukës 60 Centë – dyfishim nga viti 2021, çmimi i vezëve 4,50 Centë – dyfishim nga viti 2021, çmimi i energjisë elektrike – dyfishim nga viti 2021 (plus me mungesë dhe krizë energjetike), rroga e njëjtë – dyfish më e vogël vlera dhe fuqia e blerjes nga viti 2021”, shtoi ai.

Pse po ikin kosovarët?

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ikjen e qytetarëve të Kosovës për në vendet e ndryshme të botës e konsiderojnë mjaft shqetësuese.

Behxhet Shala – drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë (KMLDNJ), në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se pasiguria ekonomike, politike dhe mosliberalizimi i vizave janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në motivimin e qytetarëve për të migruar.

“Në radhë të parë është pasiguria ekonomike, shkaku se papunësia në vend po rritet, qytetarët, për të gjetur një vend pune, po detyrohen të kërkojnë zgjidhje në një shtet tjetër kryesisht në vendet e Evropës apo në SHBA. Dështimet politike po shkaktojnë pasiguri politike. Pastaj është edhe mosliberalizimi i vizave”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Kosova është një vend që nuk po ofron kushte elementare për qytetarët e saj dhe perspektivë për të rinjtë.

“Ata të cilët kanë premtuar që më nuk do të ketë ikje, që do të kenë të gjitha mundësitë që të veprojnë këtu, madje edhe ata të cilët jetojnë jashtë nëse duan të kthehen në Kosovë dhe të punojnë edhe të investojnë, në njëfarë mënyre ka dështuar krejtësisht”, shtoi Shala.

“Fakti që qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që t’ua lehtësojë punën bizneseve, të rritë rrogat, jo vetëm minimalet, por edhe të tjerat, t’i rritë pensionet, në njërën anë me taksat e reja vetëm se po e rëndon buxhetin e Kosovës dhe në anën tjetër e ka mbyllur çdo perspektivë, sepse nuk garanton asnjë investim nga jashtë, sepse askush nuk investon në një vend ku ka paqartësi dhe ku shteti nuk garanton”.

Siç thekson Shala, nëse nuk ndalet ky trend i ikjes, struktura e popullsisë “do të pësojë ndryshime të mëdha”.

“Kosova do të mbesë në duart e të moshuarve”

Në anën tjetër, sociologu Jeton Brajshori, në një prononcim për Portalin Dukagjinika thënë se faktorët kryesorë që ndikojnë në migrim janë ata tërheqës dhe shtytës.

“Faktorët tërheqës janë ata, për shembull, në shtetet perëndimore ne gjithmonë lakmojmë të kemi një jetë të mirë, një pagë më të mirë, sigurim shëndetësor, dhe shkollim më të mirë për fëmijët tanë, kjo është një nga arsyet kryesore pse ne na shtyn të migrojmë”, ka thënë ai.

Pjesa tjetër sipas Brajshorit ka të bëjë me faktorët të cilët shtyjnë qytetarët të ikin nga vendi, për shkak të luftës, katastrofave natyrore, armiqësive e të tjera, gjë që për Kosovën “momentalisht nuk vlen”.

Ai e ka konsideruar shqetësuese trendin e ikjes së qytetarëve nga vendi.

“Normalisht është shqetësuese, një shtet pa popullatë atëherë thjesht edhe zbeh edhe shtetin në tërësi, për arsye se në momentin që mbesin pa rininë tonë normalisht që kjo do të bëhet shqetësuese, si për qeveritë e kaluara, edhe për atë të tashmen, e cila nuk shihet se po lëviz diçka më mirë se të tjerat”.

Sipas Brajshorit, nëse Kosova vazhdon me një trend të tillë, atëherë vendi do të mbetet në duart e pleqve.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika