Në 34-vjetorin e rënies, Kurti kujton dëshmorët e Pollatës dhe Grabanicës

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar katër dëshmorët e rënë më 13 shtator 1990 në Pollatë dhe Grabanicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar katër dëshmorët e rënë më 13 shtator 1990 në fshatin Pollatë të Podujevës dhe në Grabanicë të Klinës.

Kurti ka kujtuar se më 13 shtator 1990, forcat serbe, përbërë nga qindra policë dhe ushtarë, rrethuan fshatin Pollatë në Podujevë dhe kryen një aksion të ashtuquajtur “Rrufeja” (“Munja”), që kishte për qëllim frikësimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe parandalimin e organizimeve të mëtejshme

“Më 13 shtator 1990, qindra policë dhe ushtarë serbë e rrethuan fshatin Pollatë të Podujevës, duke e realizuar një aksion kriminal të koduar me emrin “Rrufeja” (“Munja”). Qëllimi i tyre ishte terrorizimi i popullit shqiptar të Kosovës, duke e dhënë një shembull të veçantë të brutalitetit të aparatit shtetëror të dhunës arbitrare dhe politike; si dhe pengimi i lëvizjeve dhe organizimeve të mëtutjeshme, gjashtë ditë pas mbledhjes së Kaçanikut ku më 7 shtator, delegatët e Kosovës e kishin miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Gjatë aksionit në Pollatë, Besim Latifi dhe Skënder Manolli humbën jetën duke luftuar kundër forcave serbe pranë shtëpive të tyre. Ndërkohë, në Grabanicë, vëllezërit Simon dhe Shtjefën Dushi u përleshën me policinë serbe dhe mbetën të vrarë.

“Por banorët e Pollatës dhe të Llapit rezistuan me armë, duke i dhënë shembull gjithë Kosovës. Atë ditë në Pollatë, u vra Besim Latifi (1968) dhe Skënder Manolli. Student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës dhe pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1989, Besimi u vra në derë të odës së familjes së tij, teksa po dilte prej saj me pushkë në dorë. Po me armë në dorë dhe po para shtëpisë së tij, u vra edhe Skënder Manolli, gjithashtu nga Pollata.

Po atë ditë, më 13 shtator 1990, teksa vëllezërit Simon Dushi (1958) dhe Shtjefën Dushi (1964) po ktheheshin me makinë nga fshati Doblibare i Gjakovës ku kishin lindur, për në Deiq të Klinës ku ishin zhvendosur të jetonin, u ndaluan nga një patrullë e policisë në Grabanicë. Policët serbë nisën t’i malltretonin arbitrarisht, e kështu në përleshje e sipër, e plagosën Simonin. Në atë situatë, Shtjefëni e nxori revolen dhe pasi e vrau një polic, mbeti edhe vetë i vrarë bashkë me vëllain e tij Simonin.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në varrimet e këtyre katër dëshmorëve të lirisë, të rënë duke i rezistuar dhunës policore, shtypjes politike dhe diskriminimit mbi baza etnike të regjimit të apartheidit që Serbia po e instalonte ato kohë në Kosovë.

Lavdi të rënëve Besim Latifi, Skënder Manolli, Simon Dushi dhe Shtjefën Dushi, mes të rënëve në rrugën e gjatë të rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës!”, ka shtuar Kurti.

Shija e redaktorit

Imer Mushkolaj kolumnist i rregullt në Dukagjini.com

Analisti Imer Mushkolaj do të jetë kolumnist i rregullt në portalin Dukagjini. Ai përmes kolumneve do të paraqes pikëpamjet dhe analizat e tij mbi politikën...

Emisari i ri i SHBA-së viziton Kosovën

Emisari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, këtë të enjte ka nisur vizitën e tij në Kosovë, e cila u konfirmua nga...

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Të fundit nga rubrika