Dikur, ishte një vajzë e vogël që ëndërronte të bëhej nënë. Ajo dëshironte më shumë se gjithçka, të kishte një fëmijë, dhe shpresonte që ëndrra e saj të bëhej realitet një ditë.
Ajo rrinte me orë të tëra duke menduar emra të ndryshëm për foshnjën e saj. Dhe pastaj një ditë, më në fund ajo mbeti shtatzënë.
Ajo kishte një shtatzëni të mrekullueshme, dhe ëndrra e saj për të qenë nënë ishte realizuar.
Por, në vend që të lehtësohej dhe të ishte e lumtur, pas disa muajsh gjithçka që ajo mund të bënte ishte të qante.
Këtë histori e ndan edhe Z.A- një nënë nga qyteti i Vushtrrisë e cila luftonte me ankthin dhe depresionin pas periudhës së shtatzënisë.
Kur ajo mbeti shtatzënë, mjeku e këshilloi atë të merrte ilaçe kundër depresionit për t’i menaxhuar simptomat e saj.
Shtatzënia dhe lindja e saj e parë shkuan mirë, por gjërat ishin ndryshe pasi ajo lindi herën e dytë.
“Është njëjtë sikur të godas murin me kokë në momentin kur më vjen mendimi ta godas fëmijën”- ka thënë ajo.
Ajo kujton se ishte ndjerë e mposhtur nga pikëllimi, menjëherë pasi u kthye në shtëpi pas lindjes.
“Unë nuk mund të komunikoja as një fjali të plotë se si ndihesha. E tëra çfarë mund të bëja ishte të qaja”- ka shtuar ajo.
Lindja e një foshnje mund të shkaktojë një grumbull emocionesh të fuqishme, nga gëzimi e deri te frika dhe ankthi.
Por, gjithashtu, mund të rezultojë në diçka që mund të mos e prisni fare-depresion.
Studimet e fundit nga MayoClinic, tregojnë se gati 70-80% e grave vuajnë nga disa simptoma depresive brenda dy javëve të para pas lindjes.
Këto simptoma depresive tani manifestohen në mënyra të ndryshme.
Fazat e luhatjes në humor pas lindjes
Depresioni i paslindjes konsiderohet si një reagim “normal” ndaj lindjes.
Sidoqoftë, disa gra përjetojnë faza të mëdha depresive në javët dhe muajt pas lindjes, duke shfaqur humbje të kënaqësisë, interesit, gjumit dhe vetëvlerësimit.
Janë këto stade që referohen si depresion i paslindjes, dhe sipas MayoClinic, prekin 10-13% të grave.
Përtej depresionit të paslindjes dhe ditëve të mëdha depresive, rreth një ose dy në 1000 gra zhvillojnë shqetësime më të mëdha si, sjellje të çuditshme ose halucinacione dhe një gjendje të rëndë të njohur si psikozë pas lindjes.
Nga depresioni i paslindjes mund të preket çdo grua ,dhe jo vetëm pas lindjes së parë, por edhe pas çdo lindjeje. Mirëpo ka disa faktorë, sipas psikologëve dhe mjekëve, që bëjnë dikënd të jetë më i rrezikuar.
Disa faktorë që mund të dërgojnë deri te përjetimi i depresionit të paslindjes janë, historia e mëhershme e depresionit apo problemeve të tjera emocionale, si vdekja e ndonjë anëtari të familjes, divorci, humbja e vendit të punës, lindja e parakohshme apo shtatzënia e padëshiruar e shumë rrethana tjera.
Edhe sipas nënës B.Z nga qyteti i Pejës, është shumë e vështirë për ta bindur bashkëshortin dhe familjen se po kalon në një periudhë të tillë depresive.
“Sen nuk ki, na i kena pas atëherë ka 2-3 fmi, e nuk kena pas kohë me i ngu kto sene e me kajt para burrit kur i ki krejt tmirat- ishin fjalët e familjarëve të mi që po më shkaktonin presion psikologjik edhe më shumë duke mos e kuptuar gjendjen në të cilën ndodhem ”, ka thënë ajo.
“Ka ndodhur që kam mbetur në dhomë duke qajtur gjatë gjithë ditës, dhe duke e urryer fëmijën tim, por prapë se prapë më është dashur të zgjohem dhe t’i kryej punët e shtëpisë sepse askush nuk e dinte në çfarë po kaloja”- ka shtuar ajo.
Depresioni i paslindjes te nënat nuk diskutohet fare në Kosovë, madje është edhe një trajtim i harruar sepse gratë pas lindjes nuk e dinë me çfarë po përballen në mungesë të informacioneve për një fenomen të tillë.
Në familjet shqiptare, apo edhe në klinikat e psikologëve dhe mjekëve po të shkosh dhe të ankohesh për një problem të tillë, konsiderohesh si një nënë e llastuar që nuk ka mundur të kujdeset për fëmijën e saj dhe “je çuar peshë prej të mirave” prandaj të ka ardhur ky shqetësim, e që fare nuk konsiderohet si çregullim i shëndetit mendor që nëna e kalon gjatë asaj periudhe.
Një çrregullim që lihet anash, në mungesë të një mbështetjeje nga një person adekuat dhe nga personat e dashur, kalon në një problem shumë të madh që pastaj domosdo duhet të ketë trajtim.
Depresioni Postnatal- një term që në Kosovë mund të njihet nga profesionistët e mjekësisë, e kohët e fundit edhe nga psikologët, por që nuk mund të njihet nga një nënë e cila rishtazi ka sjellë një krijesë në botë dhe asnjëherë nuk ka pasur ku të drejtohet për ndihmë sepse nuk e ka ditur me çfarë po përballet.
Realiteti është se, shumë gra luftojnë me ankthin dhe depresionin gjatë shtatzënisë, si dhe pas lindjes.
Edhe sipas mjekut gjinekolog-obstetër, Agron Devaja, depresioni pas lindjes është cregullim psikik i cili nëse zgjat një deri në dy javë është reverzibil, dhe zakonisht është si pasojë e zbritjes rapide të hormoneve pas lindjes, lodhjes fizike dhe psikike gjatë procesit të lindjes.
Por sipas Devajës, nëse ky depresion zgjat më tepër se dy javë e deri në një vit, atëherë konsiderohet si depresion postnatal dhe si i tillë duhet të ketë trajtim të mirëfilltë.
“Në momente të tilla, duhet mbështetja e familjes dhe e komunitetit si dhe e personave që të duan përreth”, ka theksuar Devaja.
Ndërsa sipas psikologut, Aheron Bobaj, te disa gra kjo fazë e depresionit ka impakt më të thellë që nënat nuk shfaqin dëshirë për të komunikuar as me personat e tyre më të dashur.
Sipas tij, shumica e grave që e vizitojnë në klinikën e tij, në momentet e paslindjes, nuk e dinë se me çfarë po përballen për shkak të mungesës së informacioneve.
Ai ka shtuar se gratë vuajnë nga ky depresion sepse nuk e trajtojnë për shkak të stigmës nga personat e tjerë. Por nëse nuk trajtohet, ateherë mund të shkaktojë probleme më serioze në shëndetin e nënës.
“Gratë në këtë fazë duhet të dalin çdo ditë nga 30 minuta deri në 2 orë në ditë, në natyrë e preferueshme ose kudo tjetër, të shikojnë në televizor vetëm gjëra pozitive, filma të zhanrit komedi dhe të marrin vitamina sepse mbeten shumicën e kohës mbyllur brenda”, ka thënë ai.
Sipas tij, depresioni i paslindjes është një çrregullim i shëndetit mendor që duhet patjetër të referohet te psikologu për terapi bisede, por edhe te neuropsikiatri për udhëzimet mjekësore që duhet të jenë kursi kryesor i trajtimit.
Po ashtu, ky depresion i patrajtuar, mund të ndërhyjë në lidhjen nënë-fëmijë dhe burrë-grua, e madje të shkaktojë edhe probleme familjare.
Për nënat, depresioni mund të zgjasë me muaj ose më gjatë, ndonjëherë duke u bërë një çrregullim kronik depresiv, sepse edhe kur trajtohet depresioni pas lindjes rrit rrezikun e gruas për episode të ardhshme të depresionit të madh.
Në Kosovë, duke analizuar raste të tilla të nënave që ndihen vetëm dhe nuk e dinë se me çfarë po përballen është shumë e vështirë që të kalohet pa e trajtuar.
Kjo situatë vjen si pasojë e mosshpërndarjes së informacioneve së pari nga mjeku që e kontrollon nënën gjatë periudhës së shtatzënisë, e pastaj nga familja e cila në mungesë të informacioneve e paragjykon një nënë të re, duke e shtyer edhe më shumë në presion psikologjik.
Pas kësaj, vjen shoqëria e psikologu ku shumica e nënave hezitojnë të shkojnë për shkak të stigmatizimit dhe linçimit si person i “çmendur” në rast të komunikimit me të, dhe deri te vetë nëna, që nuk e di se duke mos e trajtuar këtë problem, mund të kalojë në depresion serioz.
Depresioni i paslindjes nuk është as dobësi dhe as e metë e karakterit. Ndonjëherë është thjesht një ndërlikim i lindjes.
Nëse përjetoni depresion pas lindjes, trajtimi i shpejtë mund t’ju ndihmojë të mbani nën kontroll simptomat tuaja, dhe ta shijoni fëmijën në maksimum.