Shtesë aplikimit të procedurës së zakonshme për hyrje në Kosovë, të premten Policia nisi informimin e shtetasve të huaj për ndryshimet në dy ligje.
Teksa pritej nisja e aplikimit të ndryshimeve, nga qeveria mbrëmjen e së enjtes u dha lajmi se një fushatë informuese deri më 15 mars, do t’i paraprijë zbatimit strikt të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.
“Pas njoftimit të mbrëmshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se faza e parë zbatimi i dy ligjeve përfshin një periudhë informuese, këtu në pikën kufitare në Jarinjë shtetasit e huaj po informohen për procedurat dhe rregullat e reja. Megjithatë, deri tani vetëm verbalisht, pasi Policia kufitare po pret që gjatë ditës të pajiset me materialet informuese”.
Megjithatë, gjatë ditës Ministria e Punëve të Brendshme i bëri të qasshme për publikun informacionet e nevojshme.
Referuar Ligjit për të Huajt shpjegohen të drejtat dhe obligimet e shtetasve të huaj mysafirë në Kosovë me rastin e hyrjes, në rast të qëndrimit afat shkurtër, në rastet e punësimit apo qëndrimi për arsye të tjera, e deri tek pasojat në rast të mos-zbatimit të rregullave.
Ndërkaq tek informacionet referuar Ligjit për Automjete, mes tjerash, MPB-ja tregoi se “automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të shtetasit të huaj lejohet të qarkullojë deri në tre muaj nga data e hyrjes në Kosovë”.
Po ashtu, Ministria sqaroi se “automjetin e regjistruar jashtë Kosovës nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa praninë e pronarit dhe as të autorizohet që ta qarkullojë atë në Kosovë”.
Zbatimi i këtyre dy ligjeve, krahas shtetasve të huaj, prek edhe një pjesë të komunitet serb në Kosovë që punojnë e funksionojnë me dokumente të Serbisë dhe posedojnë automjete me targa te shtetit fqinj.
Kësisoj ata duhet të pajisjen me dokumente të Kosovës dhe t’i ndërrojnë targat, respektivisht kthejnë në RKS.