“Një këmbanë shurdhuese për secilin”, pozitë e opozitë reagojnë për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj

"Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet"

Politikanë nga pozita e opozita kanë reaguar për vrasjen e 21-vjeçares në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj. Gjithashtu, i plagosur në këtë rast ka mbetur vëllai i viktimës.

Për këtë ka reaguar edhe shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga drejtësia të veprojë pa vonesa, duke thënë se efekti i deritanishëm ka ngelur i mangët e përgjegjësia mbetet përherë e lartë.

“Ngushëllime familjes, të afërmëve dhe miqve të saj. Drejtësia të veprojë pa vonesa duke e pranuar që efekti i deritanishëm i ka ngelur i mangët e përgjegjësia i mbetet përherë e lartë”, ka shkruar Kurti.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”, ka vijuar ai.

Lehtësia e padukshme me të cilën vriten gratë duhet të jetë një kambanë shurdhuese për secilin prej nesh, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Dhimbje pafund për Eronën, jeta e së cilës u shua sot nga ish bashkëshorti. Lehtësia e padurueshme me të cilën vrahen, dhunohen, ngacmohen, cenohen, gratë në Kosovë, duhet të jetë një këmbanë shurdhuese për secilin prej nesh. Na fal Eronë, që dështuam të të mbrojmë”, ka shkruar Çitaku.

E shefja e Grupi të Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje që ky krim të marrë dënim maksimal. Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes.

“Përveç dhimbjes dhe trishtimit, kjo ngjarje të kthen vrazhdësinë e realitetit brutal për numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave në shoqërinë tonë, të cilat nga burrat apo partnerët e tyre konsiderohen pronë mbi të cilën gëzohet e drejta deri në marrje të jetës.

Ky krim meriton dënimin maksimal për kryesin e veprës i cili jo vetëm që privoi nga jeta ish-bashkëshorten, por privoi edhe fëmijën e tij nga e drejta për një jetë normale, duke e ballafaquar përgjithmonë me traumën e humbjes së më të dashurës.

Ngushëllime familjes së viktimës, shërim të shpejtë vëllait të lënduar dhe dënim maksimal për kryesin e veprës makabër.  E rëndë të përsëritet por e pashmangshme të thuhet: qoftë e fundit vrasje dhe e fundit jetë e këputur mizorisht!”, ka shkruar Kusari – Lila në Facebook.

Kurse, sipas deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, ish-bashkëshortit të viktimës “nuk i ka mjaftu ndarja i është dashur ta vrasë, i ka pengu ekzistenca e saj”.

Teksa i ka shprehur ngushëllime familjes së 21-vjeçares, Bajrami ka kërkuar dënim meritor për të dyshuarin.

“E tronditur thellësisht nga lajmi për vrasjen e një gruaje në Ferizaj. Sipas informatave që qarkullojnë po dyshohet se dorasi është ish-burri i saj, dmth. që kanë qenë të ndarë.  Nuk i ka mjaftu ndarja i është dashur ta vrasë, i ka pengu ekzistenca e saj.  Duhet me u zgju nga gjumi, këto ngjarje janë bërë tepër të shpeshta dhe nuk guxojmë me i injoru derisa të na trokasin në derë.

Ajo grua, është nëna e dikujt, motra e dikujt dhe vajza e dikujt. Ajo vetë e ka pasë një plan dhe një jetë. Çka tash? Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e së ndjerës.  Dënim meritor për dorasin, masa preventive për krejt rastet e dhunës që janë të lajmëruara në sistem”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Për këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Drejësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se pavarësisht përpjekjeve, gratë ende nuk janë të sigurta.

“E tronditur nga lajmi për vrasjen e gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Një krim tjetër i rëndë i cili duhet të marrë dënim maksimal. Pavarësisht përpjekjes sonë të përditshme, angazhimit tonë të vazhdueshëm, gratë ende nuk janë të sigurta. Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromisë në adresimin e këtyre rasteve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Familjarëve dhe të afërmve të së ndjerës, Haxhiu u ka shprehu ngushëllime.

“Jemi në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojmë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrim veprimet sipas kompetencës. Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, ka shtuar Haxhiu.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika